Konferenca e Përgjithshme
Mesazhi i Hapjes
konferenca e përgjithshme e prillit 2020


Mesazhi i Hapjes

Në çdo mënyrë që të mundemi, ne duhet të kërkojmë ta dëgjojmë Jezu Krishtin, që na flet nëpërmjet fuqisë dhe shërbesës së Frymës së Shenjtë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, teksa ju urojmë mirëseardhjen në këtë konferencë të përgjithshme historike të prillit 2020 të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, për arsye që ju i dini, unë qëndroj përpara jush në një sallë të zbrazët!

Nuk ma merrte mendja, kur ju premtova në konferencën e përgjithshme të tetorit 2019 që kjo konferencë e prillit do të ishte “e shënuar” dhe “e paharrueshme”, se të flas para një bashkësie të dukshme me më pak se 10 vetë, do ta bënte këtë konferencë kaq të “shënuar” dhe të “paharrueshme” për mua! Sidoqoftë, dijenia se ju po merrni pjesë me anë të transmetimit elektronik dhe interpretimi i mrekullueshëm nga kori i këngës “It Is Well with My Soul” [“Është Mirë në Shpirtin Tim”], i sjellin ngushëllim të madh shpirtit tim.

Siç e dini, pjesëmarrja në këtë konferencë të përgjithshme është kufizuar rreptësisht si pjesë e përpjekjeve tona që të jemi qytetarë të mirë të botës dhe që të bëjmë gjithçka mundemi për ta kufizuar përhapjen e virusit COVID‑19. Ky virus ka pasur ndikim të madh anekënd botës. Ka sjellë ndryshim gjithashtu në mbledhjet tona të Kishës, shërbimin misionar dhe punën në tempull për njëfarë kohe.

Edhe pse masat frenuese të sotme lidhen me një virus jashtëzakonisht të rrezikshëm, sprovat vetjake të jetës shtrihen shumë përtej kësaj pandemie. Sprovat e ardhshme mund të rrjedhin nga një aksident, një fatkeqësi natyrore apo një pikëllim i papritur vetjak.

Si mund t’i durojmë sprova të tilla? Zoti na ka thënë se “nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni”1. Sigurisht, ne mund të vëmë në ruajtje vetë rezervat tona të ushqimit, ujit dhe kursimeve monetare. Por po aq vendimtare është nevoja jonë që t’i mbushim vendet tona të ruajtjes vetjake shpirtërore me besim, të vërtetë dhe dëshmi.

Kërkimi ynë përfundimtar në jetë është që të përgatitemi për ta takuar Krijuesin tonë. E bëjmë këtë duke u përpjekur fort çdo ditë që të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.2 Dhe e bëjmë atë teksa pendohemi çdo ditë dhe e marrim fuqinë e Tij pastruese, shëruese dhe forcuese. Atëherë ne mund të ndiejmë paqe dhe gëzim të qëndrueshëm, edhe gjatë kohëve të turbullta. Kjo është pikërisht arsyeja pse Zoti na është përgjëruar që të qëndrojmë në vende të shenjta dhe të “mos lëviz[im]”3.

Këtë vit, ne përkujtojmë 200‑vjetorin e njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e botës – domethënë shfaqjen e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit, ndaj Jozef Smithit. Gjatë atij vegimi të jashtëzakonshëm, Perëndia, Ati, tregoi drejt Jezu Krishtit dhe tha: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”4

Ai këshillim i dhënë Jozefit është për secilin prej nesh. Në çdo mënyrë që të mundemi, ne duhet të kërkojmë ta dëgjojmë Jezu Krishtin, që na flet nëpërmjet fuqisë dhe shërbesës së Frymës së Shenjtë.

Qëllimi i kësaj konference dhe i çdo konference të përgjithshme, është që të na ndihmojnë ta dëgjojmë Atë. Ne jemi lutur dhe ju ftojmë edhe ju të luteni, që Shpirti i Zotit do të jetë me ne me aq shumë bollëk saqë ju të mund t’i dëgjoni mesazhet që Shpëtimtari ka posaçërisht për ju – mesazhe që do t’i sjellin paqe shpirtit tuaj. Mesazhe që do ta shërojnë zemrën tuaj të thyer. Mesazhe që do ta ndriçojnë mendjen tuaj. Mesazhe që do t’ju ndihmojnë të dini se çfarë të bëni teksa shkoni përpara përmes kohëve të trazirës dhe sprovës.

Ne lutemi që kjo konferencë të jetë e shënuar dhe e paharrueshme për shkak të mesazheve që do të dëgjoni, njoftimeve të pashoqe që do të bëhen, dhe përvojave në të cilat do të ftoheni të merrni pjesë.

Për shembull, në përfundim të sesionit të paradites të së dielës, ne do të mbledhim një kuvend solemn mbarëbotëror ku unë do t’ju udhëheq në Thirrjen e shenjtë Hosana. Ne lutemi që ky të jetë një çast kulmor shpirtëror për ju teksa ne shprehim në një zë në mbarë botën mirënjohjen tonë të thellë ndaj Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij të Dashur duke i përlëvduar Ata në këtë mënyrë të pashoqe.

Për këtë përvojë të shenjtë, ne përdorim shami të bardha, të pastra. Por nëse nuk e keni një të tillë, ju thjesht mund të valëvitni dorën. Në përfundim të Thirrjes Hosana, bashkësia do të bashkohet me korin për të kënduar himnin “Shpirti i Per’ndis’”5.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kjo konferencë do të jetë e madhërishme. Ky vit do të jetë i jashtëzakonshëm teksa përqendrohemi me qëllim te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij i rivendosur. Ndikimet më të rëndësishme e më të qëndrueshme të kësaj konference historike do të jenë kur zemrat tona ndryshojnë dhe ne fillojmë një kërkim që zgjat gjithë jetën, që ta dëgjojmë Atë.

Mirë se vini në konferencën e përgjithshme të prillit 2020! Unë e di që Perëndia, Ati ynë Qiellor, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, kujdesen për ne. Ata do të jenë me ne gjatë gjithë punimeve të këtyre dy ditëve të lavdishme teksa ne kërkojmë të shkojmë më pranë Atyre dhe t’i nderojmë Ata. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.