Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Çdo Zemër Vend t’i Bëj’ Atij


Çdo Zemër Vend t’i Bëj’ Atij

Vetëm pak më shumë se një javë më parë, u ndezën dritat e Krishtlindjeve në Sheshin e Tempullit, duke vazhduar traditën prej 53 vitesh dhe, për shumë njerëz, duke shënuar fillimin e periudhës së Krishtlindjes. Në Krishtlindje ne kremtojmë lindjen, jetën dhe dritën e Jezu Krishtit, Birit të vërtetë të Perëndisë dhe Shpëtimtarit të botës. Ne gjejmë shpresë në lajmërimin që e shoqëroi lindjen e Tij: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!”1. Muzika, fëmijët e ngazëllyer, dhuratat për të dhënë e për të marrë, pemët e Krishtlindjes, zbukurimet dhe dritat janë të gjitha pjesë e kremtimit plot gëzim.

Kur mendoni për Krishtlindjen, çfarë kujtimesh të çmuara ju vijnë në mendje? Për mua, kjo kohë e vitit gjithmonë sjell kujtime të kremtimeve të Krishtlindjes nga fëmijëria ime.

Ende më kujtohen shumë nga dhuratat që kam marrë. Më kujtohen një top futbolli e basketbolli, lodra e veshje. Shumica e atyre dhuratave tani nuk janë më dhe janë harruar; veshjet janë konsumuar e nuk më bëjnë më. Por ajo që mbaj mend më shumë nga Krishtlindjet e kaluara – kujtimet e mia më prekëse dhe të parapëlqyera – nuk kanë të bëjnë me atë që mora, por me atë që dhashë.

Më lejoni ta shpjegoj. Çdo vit, të shtunën para Krishtlindjes, të rinjtë e të rejat e lagjes mblidheshin në kishën tonë. Ne i mbushnim shportat me portokalle, banane dhe biskota e kekë të bërë në shtëpi për t’ua dhënë të vejave që jetonin aty pranë. Shkonim në shtëpitë e tyre, këndonim këngë Krishtlindjesh dhe u jepnim shportat e Krishtlindjes. Ende më kujtohen buzëqeshjet e tyre mirënjohëse. Disa prej tyre ishin emigrante të brezit të parë ose të dytë, që e shprehnin mirënjohjen e tyre në anglisht me një theks të rëndë: Motrat Shvarc, Zbinden, Groll dhe Kakler. Nuk do ta harroj kurrë ndjenjën e ngrohtë që kjo nguliti në zemrën time.

Kur unë dhe Lesa u bëmë prindër, filluam një traditë që t’i jepnim dhurata Krishtlindjeje një familjeje në nevojë, ashtu siç bëni shumë prej jush. Shpesh emrin e një familjeje e merrnim nga një organizatë bamirësie në zonë, së bashku me moshat e fëmijëve. Shpenzonim shumë kohë e përpjekje vetëm për të gjetur dhuratat e duhura për ta. Djemtë tanë dukej se e shijonin këtë po aq sa kur merrnin dhuratat e tyre në Ditën e Krishtlindjes! Kjo traditë familjare shërbimi ndihmoi për të gdhendur shpirtin e vërtetë të Krishtlindjes në zemrat tona.

Në jetën time profesionale, unë isha i përfshirë në projektimin, prodhimin dhe tregtimin e pajisjeve gjimnastikore në mbarë botën. Pajisjet si tapetet e vrapimit, biçikletat e palëvizshme dhe biçikletat për katër gjymtyrë janë projektuar kryesisht për ta forcuar zemrën. Në të vërtetë, në kompaninë tonë ne punuam shumë për t’u siguruar që përdoruesit e pajisjeve të mund t’i matnin me saktësi gjendjen dhe nivelet e aktivitetit të zemrës së tyre përmes monitorëve të ritmit të zemrës. Sot, shumë prej nesh vënë pajisje teknologjike në kyçin e dorës, të cilat monitorojnë zemrën tonë dhe nxitin veprimtari për ta forcuar zemrën tonë.

Po sikur të kishte një mënyrë për ta matur gjendjen e zemrës suaj nga një këndvështrim shpirtëror – një monitorues shpirtëror të zemrës, le të themi? Çfarë do të thoshte monitoruesi i zemrës suaj? Sa shpirtërisht e shëndetshme është zemra juaj? Periudha e Krishtlindjes duket si një kohë ideale që ne ta vlerësojmë me kujdes gjendjen e vetë zemrës sonë.

Për shembull, ju mund ta pyetni veten: “A është zemra ime e përgatitur për ta pranuar Shpëtimtarin?” Në kohë Krishtlindjesh ne shpesh këndojmë “Çdo zemër vend t’i bëj’ Atij”2. Si mund të bëni vend në zemrën tuaj për Krishtin, sidomos gjatë kësaj periudhe të zënë, por prapëseprapë të mrekullueshme?

Shkrimet e shenjta janë të mbushura me përshkrime që mund të na ndihmojnë ta vlerësojmë gjendjen e zemrës sonë. Disa vargje përfshijnë fjalë si për shembull e “kulluar”3, e “bindur”4, e “pezmatuar”5, e “thyer”6 dhe e “penduar”7. Këto fjalë, dhe shumë të tjera në shkrimin e shenjtë, na japin ide për ta kuptuar zemrën e Shpëtimtarit. Që ta pranojmë Atë në zemrat tona, sigurisht që zemrat tona duhet të jenë të kulluara dhe të përulura si e Tija.

Për t’i parafrazuar fjalët e Palit, ne mund të përpiqemi fort që t’i kemi fjalët dhe cilësitë e Jezu Krishtit të shkruara si një “let[ër] … në zemrat tona, e njohur dhe lexuar nga të gjithë njerëzit, … letër e Krishtit, … e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë, dhe jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa të një zemre mishi”8. Kjo kërkon më shumë se sa thjesht urime të këndshme Krishtlindjesh që dalin nga buzët tona. Zoti na paralajmëroi kundër atyre që “[mblidhen pranë Tij] me buzët e tyre, por zemrat e tyre janë larg prej [Tij]”9. Gjatë kësaj Krishtlindjeje dhe gjatë gjithë vitit, veprimet dashamirëse dhe veprat tona të mira janë treguesi më i mirë i dashurisë sonë për Shpëtimtarin, të shkruar në zemrat tona.

Kur e marr në shqyrtim gjendjen e zemrës sime, gjej frymëzim dhe shembuj të mëdhenj për t’i ndjekur në zemrat dhe sakrificën e atyre që ndihmuan për themelimin e Kishës në ditët e para të Rivendosjes së saj. Do të doja të tregoja një histori Krishtlindjesh për një të kthyer të hershme në besim, shenjtore e ditëve të mëvonshme, nga Imingami në Angli: Meri Ud Litëltoni.

Meri dhe bashkëshorti i saj, Poli, nuk mendonin kurrë se do të largoheshin nga shtëpia e tyre në Angli. Por ata e dëgjuan mesazhin e ungjillit të rivendosur dhe morën një dëshmi për vërtetësinë e tij. Ata u pagëzuan dhe, vetëm dy muaj më vonë, Meri dhe Poli, së bashku me fëmijët e tyre, lundruan për në Amerikë për t’u mbledhur me shenjtorët. Ata mbërritën në Nju‑Jork më 20 dhjetor 1844. Pesë ditë më vonë, udhëtuan me një karrocë udhëtarësh për në Navu të Illinoisit. Vetëm përfytyrojeni – duke udhëtuar në motin e ftohtë mbi rrugë të pashtruara e të vështira, ata kremtuan Ditën e tyre të parë të Krishtlindjeve në Amerikë.

Pavarësisht nga të gjitha këto ndryshime, Meri kishte shpresë në zemrën e saj se një ditë familja e saj do ta kremtonte Krishtlindjen siç e kishin kremtuar në Angli, me kurora, Babagjyshin e Krishtlindjeve dhe këngë. Fatkeqësisht, Krishtlindja e tyre e dytë në Amerikë, në vitin 1845, nuk ishte më e mirë – ata e kaluan atë në një qerre, të cilën Poli e kishte shndërruar në një shtëpi të improvizuar, ndërkohë që familja po mundohej të vendosej në Navu. Përsëri, me një zemër të mbushur plot shpresë, Meri tha: “Vitin tjetër Krishtlindja do të jetë ndryshe”.

Vitin pasues, në 1846‑ën, Krishtlindja e tretë e familjes në Amerikë, Meri dhe fëmijët e gjetën veten në Lagjet Dimërore, duke u përgatitur për atë që do të ishte një udhëtim i gjatë e i vështirë drejt perëndimit në pranverë. Turmat i kishin dëbuar ata nga Navuja dhe Poli po shkonte në perëndim me Batalionin Mormon – disa qindra kilometra larg. Përsëri, nuk kishte këngë dhe nuk kishte Babagjysh Krishtlindjesh. Në vend të kësaj, kishte agjërim dhe lutje të sinqerta në emër të djalit tetëvjeçar të Merit, i cili ishte pranë vdekjes nga kequshqyerja e madhe. Ai mbijetoi, por 25 të tjerë në Lagjet Dimërore vdiqën po atë ditë Krishtlindjesh.

Ndodhi vetëm në Krishtlindjen e saj të katërt në Amerikë, pasi kishte mbërritur së fundmi në Luginën e Solt‑Lejkut, që Meri dhe familja e saj i kremtuan Krishtlindjet së bashku në një kohë disi paqësore. Edhe atëherë, nuk ishte lloji i kremtimit që ajo kishte përjetuar në Angli. Prapëseprapë, në disa mënyra, ishte edhe më i mirë. Në një festë Krishtlindjeje në ditën e Shabatit, një ditë pas Krishtlindjes, në vitin 1847, shenjtorët u mblodhën për t’u lutur, për të shprehur fjalë falënderimi dhe për t’i kënduar këngë lavdërimi Perëndisë për shpëtimin e tyre në Sion. Një nga këto këngë ishte një interpretim i ndier i himnit “Eni Shenjtor’”, një himn i shkruar në shtegun e pionierëve që ishte bërë një himn besimi për këta shenjtorë të hershëm pionierë. Pas kësaj, “Eni Shenjtor’” mbeti një himn i parapëlqyer, madje një këngë Krishtlindjeje, në kremtimet e Krishtlindjeve të pionierëve.10

Unë besoj se sfidat e Merit me kalimin e viteve bënë diçka për ta ndryshuar zemrën e saj. Ajo dukej se i shihte më qartë Krishtlindjet, me tradita të reja Krishtlindjesh dhe një këngë të re në zemrën e saj. Ajo me të vërtetë kishte zhvilluar një zemër sakrifice, të përqendruar te shpresa e saj në Jezu Krishtin dhe te dashuria e saj për Të.

Periudha e Krishtlindjes duket se është një kohë e përshtatshme për të përsiatur se sa të shëndetshme janë zemrat tona shpirtërisht, dhe prandaj e mbyll me një sugjerim të thjeshtë që mund të na ndihmojë ta monitorojmë dhe forcojmë zemrën tonë shpirtërore: Unë e ftoj secilin prej nesh që të zgjedhë të bëjë diçka që shpreh, në një mënyrë të jashtme, ndjenjat tona të brendshme rreth Shpëtimtarit Jezu Krisht, si dhurata që ia japim Atij këtë vit.

Ashtu si Meri Litëltoni, ne jemi mbledhur sonte si pasues besnikë të Jezu Krishtit për ta adhuruar Atë. Le të dëgjojmë tani me vëmendje kur kori të bashkohet me [këtë] “kor’ engjëjsh” në një himn të bukur dhe përshëndetës, duke i ftuar të gjithë “besnikë[t]” që të “[vijnë e të], sh[ohin], t’lindur Mbret t’engjëjve”. Pavarësisht se ku mund të jetojmë anembanë botës, ne mund të “[vijmë] … t’g’zuar, t’triumfues … në Bethlehem” – edhe sikur vetëm në zemrën tonë – për ta adhuruar dhe nderuar Atë.11

Ofroj dëshminë time për Jezu Krishtin, Shpëtimtarin e botës. Paçim Shpirtin e Krishtit të shkruar në zemrën tonë gjatë gjithë periudhës së festës dhe gjatë vitit të ri është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.