Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Katër Dhurata që Ju Ofron Jezu Krishti


Katër Dhurata që Ju Ofron Jezu Krishti

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, çfarë periudhë e çmuar është kjo! Na pëlqejnë meloditë e himnit “O Ejani Besnik’”1 dhe vijmë plot dëshirë për ta adhuruar Atë: Jezusin, Krishtin – “Jehov[ën e] Madh [të] Dhjatës së Vjetër dhe Mesian e … Dhjatës së Re”2.

Sonte le t’i marrim parasysh së bashku bekimet që na vijnë kur përqendrohemi te jeta, misioni, doktrina dhe Shlyerja e Zotit Jezu Krisht. Ju ftoj, sikurse bëri mbreti Beniamin në kohën e tij, që ta “ke[m]i parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë”. Ai bekim është për ne këtu dhe tani, por atij i shtohet premtimi përfundimtar i një “lumturie të pafund”3. E thënë thjesht, pasuesit e vërtetë të Jezu Krishtit kanë privilegjin e përjetimit të një gëzimi të pashprehshëm përgjithmonë.

M’u kujtua kjo gjë para ca ditësh kur u takova me një engjëll të quajtur Lidia. Ky engjëll nuk ishte i veshur me të bardha dhe ajo e bëri të lehtë që të takoheshim pasi erdhi në zyrën time. Lidia është 12 vjeç. Më thanë se ajo po vuan nga një formë e rrallë dhe e rëndë e kancerit në tru.4 Ajo ka një fytyrë engjëllore dhe një paraqitje më të pjekur se mosha e saj. Teksa folëm për jetën e saj dhe atë që shtrihet përpara, ajo ishte e qetë dhe në paqe. Kur e pyeta a kishte ndonjë pyetje, ajo me të shpejtë u përgjigj: “Me çfarë ngjason parajsa?” Kjo çoi drejt një diskutimi të përzemërt rreth qëllimit të jetës dhe bekimeve që Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur u kanë ofruar atyre që i nderojnë dhe i ndjekin Ata.

Pamja
Lidia dhe Presidenti Nelson

Jam thellësisht i emocionuar nga besimi i Lidias dhe familjes së saj. Edhe pse po përballet me një sfidë tejet të vështirë për sa i përket kësaj jete tokësore, Lidia është e mbushur me besim. Ajo ka një këndvështrim të përjetshëm. E di se Zoti e do dhe do të kujdeset për të. Familja e saj e përkushtuar është e mbushur me të njëjtën paqe dhe siguri që mund ta sjellë vetëm besimi në Zot.

Dëshira e Lidias ishte të takohej me Presidentin e Kishës së Zotit, por dëshirat e saj janë më të thella sesa ndonjë përvojë që e përjeton një herë këtu në vdekshmëri. Dëshira e saj më e thellë është të jetë me familjen e saj përgjithmonë në mbretërinë çelestiale. Kjo gjithashtu përfshin dëshirën e saj që të jetë gjithmonë me Atin Qiellor dhe Jezusin.

Në të vërtetë, dëshirat tona ndikojnë te secili prej nesh në mënyra të thella, jo vetëm këtu dhe tani, por edhe përtej kësaj jete. Merreni parasysh rëndësinë e kësaj thënieje nga Alma: “[Zoti] u jep njerëzve sipas dëshirës së tyre5.

Dëshira është e rëndësishme në këtë periudhë të dhënies së dhuratave, kur ne jemi veçanërisht të vëmendshëm ndaj dëshirave të atyre që i duam. Gjatë kësaj periudhe ju ftoj gjithashtu të shqyrtoni vetë dëshirat tuaja. Cilat janë dëshirat tuaja më të thella? Çfarë dëshironi me të vërtetë të përjetoni dhe të arrini në këtë jetë? A doni vërtet të bëheni gjithnjë e më shumë si Jezu Krishti? A doni vërtet të jetoni me Atin Qiellor dhe familjen tuaj përgjithmonë, dhe të jetoni si jeton Ai?

Nëse e doni këtë, ju do të dëshironi që t’i pranoni shumë dhurata të ofruara nga Zoti që na ndihmojnë ju dhe mua gjatë kohës sonë të provës në vdekshmëri. Le të përqendrohemi te katër prej dhuratave që Jezu Krishti ua dha të gjithë atyre që janë të gatshëm t’i marrin ato.6

Së pari, Ai na dha juve dhe mua një aftësi të pakufizuar për të dashur. Ajo përfshin aftësinë për të dashur njerëzit që nuk mund t’i doni dhe ata që, jo vetëm që nuk ju duan, por tani për tani ju përndjekin dhe ju keqtrajtojnë.7

Me ndihmën e Shpëtimtarit ne mund të mësojnë të duam siç deshi Ai. Kjo mund të kërkojë një ndryshim zemre – patjetër një zbutje të zemrave tona – teksa Shpëtimtari na mëson se si të kujdesemi me të vërtetë për njëri‑tjetrin. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ne vërtet mund të japim shërbesë sipas mënyrës së Zotit kur e pranojmë dhuratën e Tij të dashurisë.

Kërkojeni ndihmën e Zotit për t’i dashur ata që Ai ka nevojë që ju t’i doni, përfshirë ata për të cilët nuk është gjithmonë e lehtë të ndieni përzemërsi. Ju madje mund të doni t’i kërkoni Perëndisë që engjëjt e Tij të ecin me ju atje ku ju tani për tani nuk doni t’i hidhni hapat.8

Një dhuratë e dytë që ju ofron Shpëtimtari, është aftësia për të falur. Nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme ju mund t’i falni ata që ju kanë lënduar dhe ata që mund të mos pranojnë kurrë përgjegjësi për mizorinë e tyre ndaj jush.

Është zakonisht e lehtë ta falni dikë që sinqerisht dhe përulësisht e kërkon faljen tuaj. Por Shpëtimtari do t’ju japë aftësinë që të falni çdo njeri që ju ka keqtrajtuar në çfarëdolloj mënyre. Atëherë veprimet e tyre lënduese nuk mund ta gërryejnë më shpirtin tuaj.

Një dhuratë e tretë nga Shpëtimtari është ajo e pendimit. Kjo dhuratë nuk kuptohet mirë gjithmonë. Siç e dini, Dhiata e Re në fillim u shkrua në greqisht. Në fragmentet ku Shpëtimtari u bën thirrje njerëzve të pendohen, fjala e përkthyer si “pendohuni” është fjala greke metanoeo.9 Kjo është një folje shumë e fuqishme në greqisht. Parashtesa meta do të thotë “ndryshim”. Ne gjithashtu e përdorim atë parashtesë në shqip. Për shembull, fjala metamorfozë do të thotë “ndryshim në formë ose trajtë”. Prapashtesa noeo lidhet me një fjalë greke që do të thotë “mendje”10. Ajo gjithashtu lidhet me fjalë të tjera greke që do të thonë “dije”11, “frymë”12 dhe “hukatje [frymëmarrje]”13.

A mund të fillojmë ta shohim shtrirjen dhe thellësinë e asaj që po na jep Zoti kur na ofron dhuratën për t’u penduar? Ai na fton të ndryshojmë mendjen tonë, dijen tonë, frymën tonë, madje frymëmarrjen tonë. Për shembull, kur pendohemi, ne marrim frymë me mirënjohje ndaj Perëndisë, i cili na jep frymë nga dita në ditë.14 Dhe ne dëshirojmë ta përdorim atë frymëmarrje për t’i shërbyer Atij dhe fëmijëve të Tij. Pendimi është një dhuratë e shkëlqyer. Është një proces që nuk duhet pasur frikë kurrë. Është një dhuratë për ne që ta marrim me gëzim dhe ta përdorim – madje ta përqafojmë – ditë pas dite ndërsa përpiqemi të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë.

Ati i mbretit Lamon e përjetoi paksa atë që i priste ata që besuan te Krishti dhe e ndoqën atë. Ai shpalli se do të hiqte dorë nga të gjitha mëkatet e veta që të kishte privilegjin për ta njohur Zotin.15 Pendimi i vërtetë nuk është një ngjarje. Është një privilegj që nuk mbaron kurrë. Është themelor për përparimin dhe pasjen e paqes së mendjes, të ngushëllimit dhe të gëzimit.

Një dhuratë e katërt nga Shpëtimtari është në fakt një premtim – një premtim i jetës së përjetshme. Kjo nuk do të thotë që thjesht të jetojmë për një kohë vërtet, vërtet, vërtet të gjatë. Çdo njeri do të jetojë përgjithmonë pas vdekjes, pavarësisht nga mbretëria apo lavdia për të cilën mund të kualifikohen. Çdo njeri do të ringjallet dhe do të përjetojë pavdekësinë. Por jeta e përjetshme është shumë më tepër se një përcaktim i kohës. Jeta e përjetshme është lloji dhe cilësia e jetës që jetojnë Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur. Kur Ati na ofron jetë të përhershme, Ai po thotë në thelb: “Nëse zgjidhni ta ndiqni Birin tim – nëse dëshira juaj është vërtet të bëheni më shumë si Ai – atëherë në një kohë të caktuar ju mund të jetoni siç jetojmë ne dhe kryesoni mbi botë e mbretëri sikurse kryesojmë ne”.

Këto katër dhurata të pashoqe do të na sjellin gjithnjë e më shumë gëzim kur i pranojmë. Ato u bënë të mundura ngaqë Jehova denjoi të vinte në tokë si foshnja Jezus. Ai u lind nga një Atë i pavdekshëm dhe një nënë e vdekshme. Ai u lind në Bethlehem në rrethanat më të përulura. Lindja e tij ishte e shenjtë, e parashikuar nga profetët që nga ditët e Adamit. Jezu Krishti është dhurata e jashtëzakonshme e Perëndisë – dhurata e Atit për të gjithë fëmijët e Tij.16 Atë lindje e kremtojmë plot gëzim në çdo periudhë Krishtlindjeje.

Me mendimet dhe ndjenjat tona kaq të përqendruara te Shpëtimtari i botës, çfarë, pra, nevojitet që ne të bëjmë për t’i marrë këto dhurata që na ofrohen me kaq gatishmëri nga Jezu Krishti? Cili është kyçi që të duam siç do Ai, të falim siç fal Ai, të pendohemi për t’u bërë më shumë si Ai dhe më së fundi të jetojmë me Të dhe me Atin tonë Qiellor?

Kyçi është të bëjmë dhe të mbajmë besëlidhje të shenjta. Ne zgjedhim të jetojmë dhe të përparojmë në shtegun e besëlidhjeve të Zotit dhe të qëndrojmë në të. Ajo nuk është një udhë e ndërlikuar. Është pikërisht udha drejt gëzimit të vërtetë në këtë jetë dhe drejt jetës së përjetshme pas kësaj jete.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, dëshirat e mia më të thella janë që të gjithë fëmijët e Atit Qiellor të kenë mundësinë për ta dëgjuar ungjillin e Jezu Krishtit dhe t’ua vënë veshin mësimeve të Tij dhe që Izraeli të mblidhet siç u premtua në këto ditë të mëvonshme. Dhe dëshiroj që ne vërtet ta besojmë e ta marrim dashurinë që Shpëtimtari ka për secilin prej nesh. Dashuria e Tij e pafundme dhe e përkryer e shtyu Atë që të shlyente për ju dhe mua. Ajo dhuratë – Shlyerja e Tij – i lejon të gjitha dhuratat e tjera të Tij që të bëhen tonat.

Në një ditë të ardhshme – në atë Mijëvjeçar për të cilin po përgatitemi tani – “çdo gju do të gjunjëzohet dhe çdo gjuhë do të pohojë”17 se Jezusi është Krishti. Dhe nuk do të jetë vetëm ky Kor i mrekullueshëm i Tabernakullit te Sheshi i Tempullit që do të këndojë “Aleluja”18. Çdo njeri që ka zgjedhur të ndjekë Jezu Krishtin, do të këndojë e thërrasë: “‘Aleluja’, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë, i Plotfuqishëm”19. “Mbretëritë e botës u bënë mbretëri të Zotit tonë dhe të Krishtit të tij, dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve”20, “Mbreti i Mbretërve dhe Zoti i Zotërve”21.

Unë dëshmoj se Perëndia jeton! Jezusi është Krishti – Mesia. Kjo është Kisha e Tij, të cilën Ai e drejton nëpërmjet profetëve të Tij. Me përulësi, ne lutemi për bekimet e Tij mbi secilin prej jush, përfshirë dëshirën dhe aftësinë për t’i pranuar të gjitha dhuratat që ju ofron Shpëtimtari, në emrin e Jezu Krishtit, amen.