2020
Gjetja e Shpresës në Epiqendër
maj 2020


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

Gjetja e Shpresës në Epiqendër

Kur Italia u godit keqas nga virusi COVID-19, gjeta një arsye për t’u kapur pas shpresës.

Pamja
Grua duke vështruar nga dritarja

Autorja jeton në Katanxaro, Itali.

Më pëlqejnë shumë fjalët ngushëlluese që Jezusi u tha dishepujve të Vet pas Ringjalljes së Tij: “Paqja me ju!” (Gjoni 20:19). A nuk është e mahnitshme që Shpëtimtari ynë u ka premtuar paqe ndjekësve të Tij? Një përvojë e veçantë që pata kohët e fundit ma kujtoi këtë të vërtetë.

Në Ankth dhe në Karantinë

Një natë, ndërsa po shihja TV, drejtuesit e lajmeve po flisnin rreth virusit COVID‑19 dhe ndikimit të tij në Itali, ku unë jetoj. Ata folën rreth numrit të madh të njerëzve që kishin vdekur nga virusi dhe numrit në rritje të rasteve të vërtetuara me sëmundjen. Ndonëse ishte alarmuese, nuk isha shumë e shqetësuar për këtë në atë kohë. Por dy javë më vonë, gjërat shkuan shumë më keq dhe po kështu ankthi im.

Pata një ndjesi trishtimi dhe paniku në mes të gjithë kësaj. Isha shumë e shqetësuar se mos sëmuresha. Dhe për herë të parë në jetën time, kisha frikë të shkoja në punë. M’u desh të mbaja dorashka dhe maskë sa herë që dilja. Një javë më vonë, i gjithë vendi im kaloi në izolim dhe çdokush u fut në karantinë të rreptë.

Gjatë kësaj kohe, nuk na lejohet të dalim nga shtëpia, përveçse për të blerë ushqime një herë në javë. Bllokimi brenda shtëpisë ka qenë i vështirë. Të gjitha mbledhjet e Kishës janë pezulluar përkohësisht dhe ndërkohë që kjo më trishtoi, ajo që më rrënoi akoma më shumë ishte kur u mbyllën tempujt sepse kisha planifikuar të isha e pranishme në vulosjen e një familjeje së cilës i kisha dhënë mësim në mision. U ndjeva zemërthyer dhe e pashpresë për shkak të rrethanave në botë.

E Prekur nga Muzika

Një mëngjes, ndërsa po lexoja shkrimet e shenjta dhe po dëgjoja një këngë të quajtur “Paqe Gjejm’ në Krisht”, u luta dhe e pyeta Atin Qiellor: “Si mund të mbahem fort me shpresë gjatë kësaj kohe?”

Dhe ky ishte çasti kur fillova t’u kushtoja vëmendje fjalëve të këngës:

Ai jep shpres’,

Kur nuk shpresojm’.

Ai jep forc’,

Kur s’mund të vazhdojm’.

Ai jep strehim

Në t’jetës stuhi.

Kur paqe n’tok’ më s’ka,

Paqe gjejm’ në Krisht.1

E ndjeva Shpirtin të më dëshmonte se këto fjalë ishin të vërteta. I hodha një vështrim etiketës sime të vjetër të misionit dhe i dëgjova këto fjalë në mendje: “Romina, dua që të kesh të njëjtën paqe që u dhe të tjerëve në misionin tënd duke shpërndarë mesazhin tim të shpresës. Gjithçka do të jetë mirë. Nuk do të të lë vetëm.”

Ndaj tani, dua ta shpërndaj atë mesazh shprese! Ndonëse kam ndier tepër frikë e ankth gjatë kësaj kohe vështirësie në botë, e di vërtet se, me Jezu Krishtin, ka shpresë! Drejtojuni Atij. Dëgjojeni Atë. Ndiqeni Atë. Ne mund të gjejmë paqe në Të. Prej besimit tek Ai vjen fuqia, dhe kur besoni tek Ai, Ai do t’ju japë forcën për t’u mbajtur fort pas shpresës (shih Ethëri 12:4).

Kapja Fort pas Shpresës

Duke folur rreth shpresës, Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Shpresa tek Perëndia, mirësia e Tij dhe fuqia e Tij na gjallëron me kurajë në sfidat e vështira.”2 Sado e frikshme që mund të jetë kjo kohë, ne mund të zgjedhim guximin dhe mirëbesimin te premtimet e Zotit. Kur jeta është sfiduese, nuk kemi pse t’i kërkojmë Atit Qiellor të ndryshojë rrethanat tona, përkundrazi, mund t’i kërkojmë Atij të ndryshojë qëndrimin që mbajmë. Ne mund të mësojmë e të rritemi në çdo situatë.

E di se Perëndia është me ne dhe se Ai i do fëmijët e Tij – edhe ata prej nesh që janë në epiqendrën e një pandemie. E di se nëpërmjet Tij, gjithçka do të jetë mirë. Dhe e di se mund të kapem gjithnjë fort pas paqes që vjen nga besimi në Jezu Krisht. Për shkak të Shlyerjes së Tij të pafundme, nuk më duhet të përballem e vetme me vështirësitë.

Shënime

  1. Nik Day, “Paqe Gjejm’ në Krisht: për Temën e Aktiviteteve të Përbashkëta 2018”, Liahona, janar 2018, f. 54–55; New Era, janar 2018, f. 24–25.

  2. Diter F. Uhtdorf, “Forca e Pafundme e Shpresës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 23.