Jezu Krishti
Krishti i Gjallë


Krishti i Gjallë

Dëshmia e Apostujve

Ndërsa përkujtojmë lindjen e Jezu Krishtit dy mijë vjet më parë, ne japim dëshminë tonë për vërtetësinë e jetës së Tij të pashoqe dhe virtytin e pafund të flijimit të Tij madhështor e shlyes. Asnjë tjetër nuk ka pasur një ndikim kaq të thellë mbi të gjithë ata që kanë jetuar si dhe ata që do të jetojnë në tokë.

Ai ishte Jehova i Madhërishëm i Dhiatës së Vjetër, Mesia i Dhiatës së Re. Nën drejtimin e Atit të Tij, Ai ishte krijuesi i tokës. “Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij, dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë” (Gjoni 1:3). Ndonëse pa mëkat, Ai u pagëzua për të përmbushur çdo drejtësi. Ai e “përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38), por megjithatë u përbuz për këtë. Ungjilli i Tij ishte një mesazh paqeje dhe mirëdashjeje. Ai me zell i ftoi të gjithë që ta ndiqnin shembullin e Tij. Ai eci rrugëve të Filistisë, duke shëruar të sëmurët, duke u kthyer dritën të verbërve dhe duke ngritur të vdekurit. Ai dha mësim për të vërtetat e përjetësisë, realitetin e ekzistencës sonë para lindjes, qëllimin e jetës sonë në tokë dhe potencialin e bijve dhe bijave të Perëndisë në jetën që vjen.

Ai vendosi sakramentin si një kujtues për flijimin e Tij madhështor e shlyes. Ai u arrestua dhe u dënua me akuza të rreme, u fajësua për të kënaqur një turmë dhe u dënua të vdiste në kryqin e Kalvarit. Ai dha jetën e Tij për të shlyer për mëkatet e gjithë njerëzimit. Ai ishte mishërimi i një dhurate madhështore, për të gjithë ata që do të jetonin ndonjëherë në tokë.

Ne dëshmojmë solemnisht se jeta e Tij, e cila është qendrore për të gjithë historinë njerëzore, as nuk filloi në Bethlehem, as nuk mbaroi në Kalvar. Ai ishte i Parëlinduri i Atit, Biri i Vetëmlindur në mish, Shëlbuesi i botës.

Ai u ngrit nga varri dhe “është fryti i parë i atyre që kanë fjetur” (1 Korintasve 15:20). Si Zot i Ringjallur, Ai i vizitoi ata që i kishte dashur në jetë. Ai gjithashtu dha shërbesë midis “dele[ve] të tjera” (Gjoni 10:16) të Tij në Amerikën e lashtë. Në botën moderne, Ai dhe Ati i Tij iu shfaqën djaloshit Jozef Smith, duke filluar “periudhën e plotësisë së kohëve” (Efesianëve 1:10) që ishte premtuar kohë më parë.

Për Krishtin e Gjallë, Profeti Jozef shkroi: “Sytë e tij ishin si flakë zjarri; dhe flokët e kokës së tij ishin të bardhë si dëborë e pastër; fytyra e tij shkëlqente më shumë se ndriçimi i diellit; dhe zëri i tij ishte si tingulli i rrjedhjes së shumë ujërave, madje zëri i Jehovës, duke thënë:

Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin” (DeB 110:3–4).

Për Të Profeti gjithashtu shpalli: “Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!

Sepse ne e pamë atë, madje në të djathtën e Perëndisë; dhe ne e dëgjuam zërin duke dhënë dëshmi se ai është i Vetëmlinduri i Atit;

Se nga ai dhe përmes tij, dhe prej tij, botët janë e u krijuan dhe banorët e tyre janë bij e bija të lindura të Perëndisë” (DeB 76:22–24).

Ne shpallim me fjalë solemne që priftëria e Tij dhe Kisha e Tij janë rivendosur në tokë “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe … profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri [kryesor] i qoshes” (Efesianëve 2:20).

Ne dëshmojmë se një ditë Ai do të kthehet në tokë. “Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë” (Isaia 40:5). Ai do të sundojë si Mbreti i Mbretërve dhe do të mbretërojë si Zoti i Zotërve dhe çdo gju do të gjunjëzohet, dhe çdo gjuhë do të pohojë me adhurim para Tij. Secili nga ne do të qëndrojë për t’u gjykuar prej Tij sipas veprave tona dhe dëshirave të zemrave tona.

Ne japim dëshmi, si Apostujt e Tij të shuguruar siç duhet, që Jezusi është Krishti i Gjallë, Biri i pavdekshëm i Perëndisë. Ai është i madhërishmi Mbreti Emanuel, i cili qëndron sot në të djathtë të Atit të Tij. Ai është drita, jeta dhe shpresa e botës. Udha e Tij është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen. I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e pashoqe që na ka dhënë, Birin e Tij hyjnor!

Presidenca e Parë

Pamja
nënshkrimet

1 janar 2000

Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve

Pamja
nënshkrimet
Pamja
nënshkrimet