Manualet dhe Thirrjet
20. Aktivitetet


“20. Aktivitetet”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“20. Aktivitetet”, Manuali i Përgjithshëm.

Pamja
e re me një piston uji lodër

20.

Aktivitetet

20.1

Qëllimet

Aktivitetet e Kishës i sjellin së bashku anëtarët e Kishës dhe njerëz të tjerë si “bashkëqytetarë të shenjtorëve” (Efesianëve 2:19). Qëllimet për aktivitetet mund të përfshijnë sa vijojnë:

  • Të ndërtojnë besim te Jezu Krishti.

  • Të sigurojnë argëtim dhe të kultivojnë unitet.

  • Të japin mundësi për rritje vetjake.

  • Të forcojnë individët dhe familjet.

  • T’i ndihmojnë anëtarët të marrin pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shihni 1.2).

Disa shembuj të aktiviteteve të Kishës përfshijnë:

  • Shërbimin që i bekon të tjerët dhe ndërton marrëdhënie në komunitet.

  • Punën misionare, punën në tempull dhe punën për historinë familjare.

  • Mundësitë për të zhvilluar mbështetje te vetja dhe aftësi udhëheqjeje.

  • Arsimimin dhe trajnimin profesional.

  • Aktivitetet në ambiente të jashtme.

  • Mundësitë për të zhvilluar talente dhe vlerësim për artet kulturore.

  • Sportet dhe ushtrime për formën e shëndetshme fizike.

  • Kremtimet për raste të veçanta, të tilla si ditë festash zyrtare, ngjarje historike të Kishës ose vendore.

Siç përdoret në këtë manual, termi aktivitet i Kishës i referohet një aktiviteti të financuar nga një njësi, kuorum ose organizatë e Kishës.

20.2

Planifikimi i Aktiviteteve

Përpara se të planifikohet një aktivitet, udhëheqësit marrin parasysh nevojat shpirtërore dhe materiale të anëtarëve. Udhëheqësit kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit kur vendosin se çfarë lloj aktiviteti do t’i ndihmonte t’i plotësonin ato nevoja.

20.2.1

Përgjegjësia për Planifikimin e Aktiviteteve

Për informacion rreth planifikimit të aktiviteteve të një kunji dhe shumëkunjëshe, shihni 20.3.

Aktivitetet e lagjes mund të planifikohen në ndonjërën nga mënyrat vijuese, nisur nga nevojat vendore:

  • Këshilli i lagjes mund ta mbikëqyrë planifikimin.

  • Këshilli i lagjes mund të caktojë organizata të veçanta për të ndihmuar me planifikimin e një ose më shumë aktiviteteve.

  • Aty ku është e nevojshme dhe aty ku ka mjaft anëtarë, peshkopata mund të organizojë një komitet lagjeje për aktivitetet. Të rinj e të reja mund të thirren si anëtarë të komitetit. Ky komitet vepron nën drejtimin e këshillit të lagjes. Këshilli i lagjes cakton njërin nga anëtarët e vet për të qenë në komunikim të rregullt me komitetin e aktiviteteve.

Për informacion rreth planifikimit të aktiviteteve të lagjes për rininë, shihni 10.2.1.3 dhe 11.2.1.3.

20.2.2

Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që të Marrin Pjesë

Ata që i planifikojnë aktivitetet duhet t’u drejtohen të gjithëve, veçanërisht anëtarëve të rinj, atyre më pak aktivë, rinisë, personave në moshë madhore beqarë, atyre me aftësi të kufizuara dhe njerëzve të besimeve të tjera. Ata që planifikojnë duhet të jenë të ndjeshëm ndaj kufizimeve fizike të pjesëmarrësve. Ata duhet të jenë gjithashtu të ndjeshëm ndaj ndryshimeve kulturore dhe gjuhësore.

Ata që planifikojnë aktivitete kërkojnë mënyra që të përfshihen pjesëmarrësit. Për shembull, ata mund të ftojnë anëtarë dhe njerëz të tjerë që t’i përdorin aftësitë dhe talentet e tyre në aktivitet.

Ndërkohë që mbledhja në aktivitete mund të jetë një bekim, anëtarët nuk duhet të ndihen të detyruar për të frekuentuar çdo aktivitet. Aktivitetet nuk duhet të shkaktojnë barra të tepruara tek udhëheqësit dhe anëtarët.

20.2.3

Standardet

Aktivitetet e Kishës duhet të jenë lartësuese dhe të theksojnë atë që është e “virtytshme, [e] dashur ose me famë të mirë apo [e] denjë për t’u lavdëruar” (Nenet e Besimit 1:13). Në aktivitete nuk lejohet të përfshihet asgjë që është në kundërshtim me mësimet e Kishës. Në aktivitete nuk lejohet të përfshihen mediat shoqërore ose burime të tjera argëtuese që e bëjnë ndonjë gjë të papërshtatshme të duket si e pranueshme.

Substancat që janë në kundërshtim me Fjalën e Urtësisë nuk lejohen në aktivitetet e Kishës ose në godinat e Kishës. Personave që janë nën ndikimin e alkoolit ose drogave të tjera nuk u lejohet të marrin pjesë në aktivitetet e Kishës. Nëse një situatë e tillë ndodh, udhëheqësit veprojnë me dhembshuri.

20.2.4

Baraspesha dhe Shumëllojshmëria

Udhëheqësit i planifikojnë në mënyrë të baraspeshuar aktivitetet, duke përfshirë shërbimin, artin kulturor dhe aktivitetet fizike (shihni 20.1). Anëtarët duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në aktivitete që janë tërheqëse ndaj interesave të tyre. Ata gjithashtu duhet t’i përkrahin të tjerët në interesat e tyre.

Pjesët vijuese japin shembuj të aktiviteteve të mira.

20.2.4.1

Shërbimi

Aktivitetet e shërbimit ofrojnë mundësi për të treguar dashuri ndaj të tjerëve, për të ndier gëzimin kur i ndihmoni ata dhe për të përmirësuar komunitetet.

Këto aktivitete mund të përfshijnë vizita te njerëz që janë të sëmurë ose të vetmuar, zbukurimin e ndërtesave të Kishës dhe oborreve e tyre, si dhe pjesëmarrjen në projekte në komunitet. Atje ku është në dispozicion, faqja JustServe.org sugjeron mundësi shërbimi në komunitet.

Aktivitetet e shërbimit duhet të ndjekin orientimet e sigurisë (shihni 20.7.6.1).

Pamja
grup duke gërmuar dheun

20.2.4.2

Artet Kulturore

Aktivitetet e arteve kulturore ofrojnë mundësi për anëtarët që të zhvillojnë dhe të shfaqin talentet e tyre. Këto aktivitete gjithashtu kultivojnë krijimtarinë, vetëbesimin dhe bashkëpunimin. Ato mund të përfshijnë paraqitje të veprave artistike dhe artizanale, shfaqje talentesh ose mbrëmje vallëzimi, shfaqje muzikore dhe teatrale. Gjithashtu mund të përfshijnë kremtime të kulturës, të festave zyrtare, të historisë vendore ose të përgjithshme të Kishës.

20.2.4.3

Argëtimi, Shëndeti, Forma e Shëndetshme Fizike dhe Sportet

Si individë, familje dhe grupe të Kishës, anëtarët nxiten të marrin pjesë në aktivitete që kontribuojnë në shëndetin dhe formën e tyre të shëndetshme fizike. Disa aktivitete argëtimi të Kishës mund të planifikohen që pjesëtarët e familjes të marrin pjesë së bashku.

Për informacion rreth aktiviteteve sportive, shihni 20.5.9.

20.2.5

Programimi i Aktiviteteve

Aktivitetet e Kishës duhet të planifikohen kohë përpara se të realizohen. Udhëheqësit i mbajnë prindërit të informuar lidhur me aktivitetet për fëmijët dhe rininë.

Aktivitetet duhet të zhvillohen në një orar të arsyeshëm. Ato duhet të mbarojnë aq herët sa pjesëmarrësit të mund të kthehen pa rrezik në shtëpi.

Nëse një aktivitet zhvillohet në një shtëpi mbledhjesh ose godinë tjetër të Kishës, godina duhet të rezervohet paraprakisht për të shmangur përplasjet me aktivitete të tjera.

Mbrëmjet e së hënës rezervohen për aktivitetet familjare (shihni 20.5.3).

20.2.6

Financimi për Aktivitetet

Pjesa më e madhe e aktiviteteve duhet të jenë të thjeshta dhe të kenë kosto të vogël ose të jenë pa kosto. Çfarëdo shpenzimi duhet të miratohet paraprakisht nga peshkopata ose presidenca e kunjit.

Anëtarët zakonisht nuk duhet të paguajnë për të marrë pjesë në aktivitete. Për rregulloret dhe orientimet rreth financimit të aktiviteteve, shihni 20.6.

20.3

Aktivitetet e Kunjit, Shumëkunjëshe dhe Zonale

20.3.1

Orientime të Përgjithshme

Shumica e aktiviteteve të Kishës zhvillohen në nivel lagjeje. Udhëheqësit gjithashtu inkurajohen që të zhvillojnë aktivitete të herëpashershme të kunjit dhe shumëkunjëshe, kur aktivitete të tilla ndihmojnë për të përmbushur qëllimet te 20.1.

Aktivitetet e kunjit dhe shumëkunjëshe janë veçanërisht dobiprurëse për rininë, anëtarët beqarë dhe gratë, sidomos në zonat me pak anëtarë. Aktivitetet e kunjit dhe shumëkunjëshe të planifikuara mirë mund t’u ofrojnë anëtarëve një rreth më të gjerë miqësie. Udhëheqësit përcaktojnë nevojat e njerëzve të cilëve u shërbejnë dhe marrin parasysh nëse aktivitete të tilla do të ndihmonin për t’ua plotësuar ato nevoja. Këta udhëheqës më pas ia rekomandojnë aktivitetet presidencës së kunjit.

20.3.2

Aktivitetet e Kunjit

Presidencat e Të Rinjve, Të Rejave, të Shoqatës së Ndihmës dhe Fillores në kunj e fillojnë procesin e planifikimit të aktiviteteve në kunj për organizatat e tyre.

Komiteti i të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë në kunj e fillon procesin e planifikimit të aktiviteteve të kunjit për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë.

Nëse është organizuar një komitet i anëtarëve në moshë madhore beqarë në kunj, anëtarët e komitetit e fillojnë procesin e planifikimit të aktiviteteve për personat në moshë madhore beqarë.

Nëse organizohet një komitet kunji për aktivitete, ata mund të planifikojnë aktivitete kunji dhe të shërbejnë si burim për organizatat e kunjit lidhur me planifikimin e aktiviteteve të tyre siç përvijohen te 20.3.2.1.

Të gjitha aktivitetet e kunjit kërkojnë miratimin e presidencës së kunjit. Ato bashkërendohen në mbledhjet e këshillit të kunjit.

Udhëheqësit e kunjit i njoftojnë udhëheqësit e lagjeve për aktivitetet e kunjit kohë përpara. Ata sigurohen gjithashtu që aktivitetet e kunjit të plotësojnë aktivitetet e lagjeve dhe të mos konkurrojnë me to.

20.3.2.1

Komiteti i Kunjit për Aktivitetet

Presidenca e kunjit mund të organizojë një komitet kunji për aktivitetet për ta ndihmuar këshillin e kunjit që të planifikojë aktivitete kunji. Komiteti i kunjit për aktivitetet përbëhet nga një kryetar (një këshilltar i lartë) dhe anëtarët e komitetit (shihni 20.3.2.2 dhe 20.3.2.3). Presidenca e kunjit mund të ftojë gjithashtu anëtarë të tjerë për të ndihmuar në planifikimin e një ose më shumë aktiviteteve.

20.3.2.2

Kryetari i Komitetit të Kunjit për Aktivitetet

Në qoftë se presidenca e kunjit organizon një komitet kunji për aktivitetet, ata caktojnë një këshilltar të lartë që të jetë kryetari i komitetit. Përgjegjësitë e tij mund të përfshijnë:

  • Mbajtjen e një kalendari për aktivitetet e kunjit.

  • Mbikëqyrjen e anëtarëve të komitetit për planifikimin e aktiviteteve të kunjit.

  • Rekomandimin e një buxheti të hollësishëm për aktivitetet e kunjit te presidenca e kunjit përpara fillimit të çdo viti. Ky buxhet nuk përfshin aktivitete që janë për organizata individuale të kunjit.

  • Shërbimin si burim për udhëheqësit e organizatave të kunjit kur planifikojnë aktivitete.

20.3.2.3

Anëtarët e Komitetit të Kunjit për Aktivitetet

Një anëtar i presidencës së kunjit ose një këshilltar i lartë i caktuar mund të thërrasë anëtarë për të shërbyer në komitetin e kunjit për aktivitetet. Ata shërbejnë nën drejtimin e kryetarit të komitetit. Anëtarët e komitetit ndihmojnë me planifikimin dhe organizojnë aktivitete në kunj.

20.3.3

Aktivitetet Shumëkunjëshe dhe Zonale

Në zonat me pak të rinj e të reja, udhëheqësit duhet të zhvillojnë herë pas here aktivitete shumëkunjëshe për rininë, që ata të mund të përfitojnë nga shoqërimi në grupe më të mëdha. Aktivitete zonale për rininë mund të zhvillohen gjithashtu me raste.

Aktivitetet e shpeshta shumëkunjëshe duhet të zhvillohen për të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë atje ku mbledhja nuk kërkon shumë kohë ose shpenzime. Aktivitete zonale gjithashtu mund të zhvillohen me raste për të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë.

Për informacion rreth aktiviteteve shumëkunjëshe për anëtarët beqarë, shihni 14.2.1.3.

Aktivitetet shumëkunjëshe duhet të jenë të thjeshta dhe të larmishme.

Nëse presidentët e kunjeve ndiejnë se një aktivitet shumëkunjësh do të jetë në dobi të anëtarëve të kunjeve të tyre, ata mund të kërkojnë leje nga Presidenca e Zonës. Përpara se të propozohet një aktivitet shumëkunjësh, presidentët e kunjeve përcaktojnë nëse kjo është mënyra më e mirë për të plotësuar nevojat që ata kanë përcaktuar. Presidentët e kunjeve marrin parasysh kostot, kohën dhe udhëtimin që do të kërkojë aktiviteti. Ata marrin parasysh edhe sigurinë (shihni 20.7.6).

Mbledhjet për të bashkërenduar planifikimin e aktiviteteve shumëkunjëshe mund të zhvillohen përpara ose pas mbledhjeve të këshillit të zonës dhe mbledhjeve të këshillit bashkërendues (shihni 5.2.3 dhe 5.2.4). Sipas nevojës, mund të ftohen që të marrin pjesë udhëheqës të tjerë, përfshirë presidenten e Shoqatës së Ndihmës, presidentin e Të Rinjve dhe presidenten e Të Rejave në kunj.

Presidenca e Zonës mund të caktojë presidentë kunjesh ose Të Shtatëdhjetë Zonalë për të drejtuar komitetet që i planifikojnë dhe i zhvillojnë aktivitetet shumëkunjëshe ose ato zonale. Presidencat e kunjeve mund të thërrasin anëtarë nga kunjet e tyre për të shërbyer në këto komitete.

Financimi për shumicën e aktiviteteve shumëkunjëshe vjen nga fondet e buxhetit të kunjeve pjesëmarrëse. Financimi për aktivitetet e zonës mund të vijë nga buxhetet e zonës ose të zyrave qendrore të Kishës kur miratohen.

20.3.4

Veprimi në Pajtim me Rregulloret e Kishës për Udhëtimet

Aktivitetet e kunjit, ato shumëkunjëshe dhe zonale duhet të jenë në pajtim me rregulloret e Kishës për udhëtimet (shihni 20.7.7). Udhëtimet për në konferencat e FSY-së duhet të jenë në pajtim me rregulloret e Kishës për udhëtimet, në qoftë se një administrator i FSY-së nuk u jep udhëzime të tjera udhëheqësve vendorë.

Pamja
njerëz duke biseduar

20.4

Konferenca për Rininë

Duke filluar nga janari i vitit që mbushin 14 vjeç, të rinjtë e të rejat ftohen të marrin pjesë së bashku në një konferencë për rininë. Konferencat për rininë zakonisht zhvillohen një herë në vit në nivel lagjeje ose kunji. Ato mund të zhvillohen edhe në nivel shumëkunjësh ose zonal. Në atë vit që të rinjtë e të rejat caktohen të marrin pjesë në konferencën e FSY-së, kunjet dhe lagjet nuk duhet të zhvillojnë konferenca për rininë.

Qëllimi i konferencave për rininë është që t’i ndihmojë të rinjtë e të rejat:

  • Të ndërtojnë besim te Jezu Krishti.

  • Të forcojnë dëshmitë.

  • Të zhvillojnë talente.

  • Të krijojnë miqësi të reja.

  • Të argëtohen me të rinj e të reja që kanë të njëjtat bindje fetare dhe standarde.

Të rinjtë e të rejat mund të mësojnë edhe aftësi udhëheqjeje teksa ndihmojnë për planifikimin e konferencave për rininë.

Konferencat për rininë në lagje planifikohen dhe zhvillohen nga këshilli i lagjes për rininë, nën drejtimin e peshkopatës (shihni 29.2.6). Peshkopata merr miratimin e presidencës së kunjit për planifikimet e konferencës për rininë në lagje.

Konferencat për rininë në kunj planifikohen dhe zhvillohen nga komiteti i kunjit i udhëheqjes së rinisë (shihni 29.3.10). Të rinjtë e të rejat duhet të ftohen për ta ndihmuar komitetin sa më shumë që të jetë e mundur.

Konferencat për rininë financohen nga buxheti i kunjit ose i lagjes. Anëtarëve nuk duhet t’u kërkohet të paguajnë për konferencat për rininë (shihni 20.6).

Ndërsa udhëheqësit dhe të rinjtë e të rejat planifikojnë një konferencë për rininë, ata duhet të respektojnë rregulloret në këtë kapitull dhe orientimet vijuese:

  • Të përzgjedhin një temë të ungjillit, si për shembull një shkrim të shenjtë, që do t’i frymëzojë dhe ndihmojë të rinjtë e të rejat që të kuptojnë se çfarë pritet nga konferenca. Tema vjetore e Kishës për rininë mund të përdoret si tema e konferencës. Peshkopata ose presidenca e kunjit duhet ta miratojë temën.

  • Të planifikojnë aktivitete që përputhen me temën.

  • Të marrin miratimin e peshkopatës ose presidencës së kunjit për të gjithë folësit dhe aktivitetet. Folësit duhet të jenë anëtarë të Kishës, të cilët japin mësim me anë të Shpirtit. Shihni 38.8.17 për orientime të tjera në lidhje me folësit.

  • Nëse një ngjarje planifikohet për të dielën, ajo duhet të jetë e përshtatshme për ditën e Shabatit. Lejohen mbledhjet e dëshmive, diskutimet me peshkopatën ose mbledhje të ngjashme me këto. Megjithatë, mbledhjet e sakramentit nuk duhet të zhvillohen, dhe sakramenti nuk duhet të administrohet, jashtë shtëpive të mbledhjeve në lagje ose kunj. Çfarëdo përjashtim që duhet të bëhet për një aktivitet të financuar nga Kisha, duhet të miratohet nga Presidenca e Zonës. Grupet nuk duhet të udhëtojnë në një të diel për të shkuar në një konferencë për rininë ose për t’u kthyer nga ajo.

  • Të sigurojnë mbikëqyrjen e duhur nga persona në moshë madhore gjatë gjithë kohës (shihni 20.7.1).

  • Të ndjekin të gjitha orientimet e sigurisë te 20.7.6.

Udhëheqësit në moshë madhore ftohen ta frekuentojnë konferencën sa më gjatë të munden. Këta përfshijnë anëtarë të peshkopatës ose presidencës së kunjit, anëtare të presidencës së Të Rejave në lagje ose kunj dhe anëtarë të presidencës së Të Rinjve në kunj. Këshillueset e Të Rejave dhe këshilluesit e Të Rinjve në lagje mund të ftohen gjithashtu për të marrë pjesë.

20.5

Rregulloret dhe Orientimet për Përzgjedhjen dhe Planifikimin e Aktiviteteve

Udhëheqësit sigurohen që të respektohen rregulloret dhe orientimet për përzgjedhjen dhe planifikimin e aktiviteteve të Kishës.

20.5.1

Aktivitetet Tregtare ose Politike

Nuk lejohet të zhvillohet asnjë lloj aktiviteti për qëllime tregtare ose politike (shihni 35.5.2).

20.5.2

Mbrëmjet e Vallëzimit dhe Muzika

Në të gjitha mbrëmjet e vallëzimit, veshjet, pamja e jashtme, përdorimi i dritave, stilet e vallëzimit, tekstet e këngëve dhe muzika duhet t’i shërbejnë një atmosfere ku Shpirti i Zotit mund të jetë i pranishëm (shihni broshurën Për Forcën e Rinisë).

Udhëheqësit përdorin formularin Kontratë Interpretimi kur pajtojnë një grup muzikor, orkestër ose DJ [dixhej]. Kjo kontratë ndihmon për të siguruar që sjellja dhe muzika janë të përshtatshme për mbrëmjet e vallëzimit në Kishë. Udhëheqësit bëjnë marrëveshje të qarta me shkrim që i zotojnë ata që sigurojnë muzikën që të ndjekin standardet e Kishës në aktivitetet e Kishës.

20.5.3

Mbrëmjet e së Hënës

Anëtarët inkurajohen të zhvillojnë aktivitete familjare të hënave ose në kohë të tjera. Nuk duhet të zhvillohet asnjë aktivitet, mbledhje apo shërbesë pagëzimi e Kishës pas orës 18:00 të hënave.

Udhëheqësit sigurohen që ndërtesat e Kishës dhe godinat e tjera mbyllen në mbrëmjet e të hënave. Nuk lejohet që festime dhe aktivitete të ngjashme të zhvillohen në godinat e Kishës në mbrëmjet e të hënave.

Si përjashtim, lagjet e të rinjve në moshë madhore beqarë dhe lagjet e personave në moshë madhore beqarë mund të zhvillojnë aktivitete në mbrëmjet e të hënave, edhe në godinat e Kishës. Një përjashtim mund të jetë edhe rasti kur nata e Vigjiljes së Vitit të Ri bie në një të hënë (shihni 20.5.4).

20.5.4

Aktivitetet e Vigjiljes së Vitit të Ri

Nëse një lagje apo kunj planifikon një aktivitet për natën e Vigjiljes së Vitit të Ri dhe nëse kjo ditë bie të shtunën, të dielën ose të hënën, udhëheqësit duhet të respektojnë orientimet vijuese.

Të shtunën. Presidenti i kunjit mund të planifikojë një të diel tjetër për respektimin e ditës së agjërimit. Aktiviteti mund të zgjatë deri pas mesnate. Megjithatë, duhet të mbarojë shpejt pas kësaj që pjesëmarrësit të mund të frekuentojnë mbledhjet e së dielës.

Të dielën. Aktivitetet e Kishës mund të planifikohen për të shtunën, më 30 dhjetor. Orientimet në paragrafin e mëparshëm gjejnë zbatim. Familjet mund të nxiten që ta kremtojnë në shtëpitë e tyre natën e Vigjiljes së Vitit të Ri. Aktivitetet duhet të jenë të përshtatshme për ditën e Shabatit.

Të hënën. Presidenti i kunjit ose peshkopi mund të autorizojë përdorimin e ndërtesave të Kishës në mbrëmjen e së hënës.

20.5.5

Aktivitetet me Fjetje

Kërkohet leje nga prindërit ose kujdestarët për të gjitha aktivitetet e Kishës me fjetje që përfshijnë rininë (shihni 20.7.4).

Aktivitetet e Kishës me fjetje për grupet e ndërthurura të të rinjve dhe të rejave duhet të miratohen nga peshkopi dhe presidenti i kunjit. E njëjta gjë vlen edhe për aktivitetet për anëtarë beqarë meshkuj dhe femra. Aktivitete të tilla duhet të jenë të rralla. Shembujt përfshijnë konferencat për rininë, konferencat e FSY-së ose vizitat në tempull që kërkojnë udhëtime në largësi të mëdha.

Pjesëmarrësit dhe udhëheqësit meshkuj dhe femra duhet të kenë dhoma fjetjeje të ndara. Sidoqoftë, një çift i martuar mund të flejë në të njëjtën dhomë ose çadër kampingu. Çdo i ri dhe e re duhet të ketë shtratin e vet ose thesin e vet të gjumit.

Në shumicën e rasteve, një të riu ose të reje nuk i lejohet të qëndrojë në të njëjtën çadër kampingu ose dhomë me një person në moshë madhore, përveç rastit kur ky person është prindi ose kujdestari i vet. Mund të bëhet përjashtim nëse ka të paktën dy persona në moshë madhore në çadrën e kampingut ose në dhomë që janë të së njëjtës gjini me të riun ose të renë.

Nëse udhëheqësit në moshë madhore dhe të rinjtë ose të rejat përdorin godina të tjera për fjetje, si një kabinë, duhet të ketë të paktën dy persona në moshë madhore në secilën ndërtesë dhe duhet të jenë të së njëjtës gjini me të rinjtë ose të rejat.

Të gjitha aktivitetet e Kishës me fjetje duhet të përfshijnë të paktën dy udhëheqës/e në moshë madhore.

Duhet të jenë të pranishëm një numër i mjaftueshëm mbajtësish të priftërisë në moshë madhore gjatë gjithë kohës në aktivitetet me fjetje për të siguruar përkrahje dhe mbrojtje. Për aktivitetet e Të Rejave, mbajtësit e priftërisë duhet të qëndrojnë në godina të veçuara nga të rejat.

Udhëheqësit plotësojnë formularin Plani i Ngjarjes dhe Aktivitetit për të gjitha aktivitetet me fjetje.

Nuk miratohen aktivitete me fjetje në shtëpitë e mbledhjeve ose në oborrin e shtëpive të mbledhjeve të Kishës.

Për më shumë informacion, shihni “FAQs—What Should I Do?” [“PBR‑të – Çfarë Duhet të Bëj?”] te ChurchofJesusChrist.org.

20.5.6

Portretizimi i Hyjnisë

Perëndia, Ati dhe Fryma e Shenjtë nuk duhen portretizuar nëpër mbledhje, drama apo shfaqje muzikore.

Nëse Shpëtimtari portretizohet, duhet të bëhet me nderim dhe dinjitet. Vetëm burra me karakter të shëndoshë vetjak duhet të merren parasysh për atë rol. Personi që e portretizon Shpëtimtarin nuk duhet të këndojë e as të vallëzojë. Kur flet, ai duhet të përdorë vetëm citime të drejtpërdrejta nga shkrimet e shenjta, të thëna nga Shpëtimtari. Në fund të shfaqjes, ai duhet të ndërrohet menjëherë në veshje të zakonshme.

Shpëtimtari nuk duhet të portretizohet nga fëmijët në një dramatizim përveçse në skenën e Lindjes së Krishtit.

20.5.7

Lutjet dhe Mendimet Shpirtërore në Aktivitete

Të gjitha aktivitetet duhet të hapen dhe, kur është e përshtatshme, të mbyllen me lutje. Mund të përfshihet një himn, mendim shpirtëror ose fjalim nga një udhëheqës apo pjesëmarrës.

20.5.8

Respektimi i Ditës së Shabatit

Të dielave nuk duhet të planifikohet asnjë aktivitet me kamp, ngjarje sportive apo aktivitete argëtuese të Kishës. As grupet rinore dhe të tjerët nuk duhet të udhëtojnë për në kampet apo konferencat për rininë ose të kthehen prej tyre të dielën.

Si rast përjashtimi, kur siguria ose kostot e udhëtimit janë shqetësime serioze, disa aktivitete për rininë mund të planifikohen menjëherë pas mbledhjeve të adhurimit të së dielës. Këto aktivitete duhet të jenë të veçuara nga programi i mbledhjes të së dielës. Ato duhet të jenë në harmoni me shpirtin e Shabatit. Kërkohet miratim nga peshkopi dhe presidenti i kunjit.

20.5.9

Sportet

Aktivitetet sportive të Kishës ofrojnë mundësi për aktivitet fizik dhe shoqërim. Ato e vënë theksin te pjesëmarrja, natyra sportive dhe zhvillimi fizik. Kur aktiviteti përfshin konkurrim, duhet bërë çdo përpjekje për të shmangur grindjen. Të gjithë anëtarët e skuadrës duhet të kenë mundësi të rregullta për të luajtur, pavarësisht nga niveli i zotësisë.

Presidenca e kunjit mbikëqyr aktivitetet sportive të financuara brenda kunjit të tyre. Ata japin edhe orientime që: 1) specifikojnë moshat në të cilat lojtarët mund të marrin pjesë në sportet e Kishës dhe 2) përcaktojnë të drejtën e lojtarit për të marrë pjesë. Vendime të tilla duhet të bëhen përpara se të fillojë një sezon sportiv.

Nëse zhvillohen aktivitete sportive shumëkunjëshe, Presidenca e Zonës ose Të Shtatëdhjetët e caktuar Zonalë i mbikëqyrin ato. Këto aktivitete administrohen nga specialistët e sporteve që thirren nga presidentët e kunjeve përgjegjëse të përcaktuar nga Presidenca e Zonës. Turne garash sportive në rang zonal nuk miratohen.

Pjesëmarrësit në aktivitetet sportive të Kishës nuk është nevoja të jenë anëtarë të Kishës. Megjithatë, ata duhet të jetojnë brenda kufijve të njësisë dhe të bien dakord që të ndjekin standardet dhe rregulloret e Kishës gjatë aktiviteteve.

Nëse përdoren uniforma skuadre, ato duhet të jenë të thjeshta, jo të shtrenjta dhe të përshtatshme për aktivitetin. Bluza pambuku ose pulovra me ngjyra janë zakonisht të mjaftueshme. Uniformat duhet të paguhen nga buxheti i kunjit ose lagjes.

Nuk inkurajohet dhënia e çmimeve ose trofeve për ekipe ose individë.

20.5.10

Vizitat në Tempull

Vizitat në tempull organizohen në nivel lagjeje ose kunji brenda distriktit të caktuar të tempullit.

Nuk inkurajohen vizitat e organizuara të lagjeve ose kunjeve për në tempull jashtë distriktit të caktuar të tempullit. Vizita të tilla kërkojnë miratimin e presidencës së kunjit. Vizitat në tempull me fjetje kërkojnë gjithashtu miratimin e presidencës së kunjit.

Vizitat e tempullit duhet të jenë në përputhje me rregulloret e udhëtimeve te 20.7.7. Vizitat në tempull me fjetje duhet të jenë gjithashtu në përputhje me rregulloret te 20.5.5.

Pamja
grua duke qepur

20.5.11

Aktivitetet e Pamiratuara

Nuk lejohet që njësitë e Kishës të financojnë aktivitete që nuk janë në harmoni me orientimet në këtë kapitull. Këto përfshijnë:

  • Aktivitete që kanë rrezik të lartë lëndimi ose sëmundjeje (shihni 20.7.6).

  • Aktivitete që kërkojnë shpenzime ose udhëtime të pazakonta (shihni 20.7.7).

  • Programe ushtrimore që kanë muzikë, tekste këngësh, veshje ose elementë të tjerë që nuk janë në harmoni me standardet e Kishës.

Nëse një peshkop ka pyetje nëse është i përshtatshëm ose jo një aktivitet, ai pyet presidentin e kunjit. Presidentët e kunjeve mund t’ia drejtojnë pyetjet Presidencës së Zonës.

20.6

Rregulloret dhe Orientimet për Financimin e Aktiviteteve

Udhëheqësit sigurohen që të respektohen rregulloret dhe orientimet vijuese për financimin e të gjitha aktiviteteve të Kishës.

20.6.1

Aktivitetet e Paguara me Fondet e Buxhetit të Lagjes ose të Kunjit

Fondet e buxhetit të lagjes ose kunjit duhet të përdoren për të paguar për të gjitha aktivitetet, me përjashtimet e mundshme të renditura te 20.6.2.

Anëtarët nuk duhet të sigurojnë materiale, pajisje, pagesa për marrje me qira ose për çmimin e hyrjes, apo për transportin në largësi të mëdha me shpenzimet e veta. Anëtarët mund të sigurojnë ushqim nëse kjo gjë nuk është një barrë.

20.6.2

Financimi për Kampet e Rinisë

Nëse buxheti i lagjes ose kunjit nuk ka fonde të mjaftueshme për aktivitetet e renditura më poshtë, udhëheqësit mund t’u kërkojnë pjesëmarrësve të paguajnë për një pjesë ose të gjithë shpenzimin për to:

  • Një kamp vjetor disa ditor për Priftërinë Aarone ose një aktivitet të ngjashëm.

  • Një kamp vjetor disa ditor për Të Rejat ose një aktivitet të ngjashëm.

  • Një kamp vjetor njëditor ose një aktivitet të ngjashëm për fëmijët e Fillores të moshave 8 deri në 11 vjeç.

Shpenzimet ose udhëtimi për një kamp vjetor nuk duhet të jenë të tepruara. Mungesa e fondeve vetjake nuk duhet ta frenojë një anëtar/e që të marrë pjesë.

Nëse fondet nga buxhetet e lagjes, të kunjit dhe nga pjesëmarrësit nuk mjaftojnë për kampet, peshkopi mund të autorizojë një ngjarje vjetore për mbledhje fondesh në lagje. Kjo ngjarje duhet t’u përmbahet orientimeve te 20.6.5.

Për informacion rreth financimit të ngjarjeve të mëdha shumëkunjëshe ose zonale për të rinjtë në moshë madhore beqarë, shihni 14.2.1.3.

20.6.3

Financimi për Konferencat e FSY-së

Të rinjve e të rejave mund t’u kërkohet të kontribuojnë një tarifë për të frekuentuar konferencat për Forcën e Rinisë (FSY). Nëse shpenzimi do ta pengonte një të ri ose të re që të merrte pjesë, peshkopi mund të përdorë fondet e buxhetit të lagjes për të paguar të gjithë tarifën ose një pjesë të saj. Shihni FSY.ChurchofJesusChrist.org.

20.6.4

Financimi për Pajisjet dhe Mjetet

Nëse është e mundur, pajisjet dhe mjetet që i nevojiten lagjes për kampet vjetore të rinisë blihen me fondet e buxhetit të lagjes. Nëse këto fonde nuk janë të mjaftueshme, peshkopi mund të autorizojë një ngjarje vjetore për mbledhje fondesh në lagje. Ky aktivitet duhet t’u përmbahet orientimeve te 20.6.5.

Pajisjet dhe mjetet që blihen me fondet ose paratë e buxhetit të lagjes nëpërmjet një veprimtarie për mbledhje fondesh janë vetëm për përdorim nga Kisha. Ato nuk janë për përdorim vetjak.

20.6.5

Ngjarjet për Mbledhjen e Fondeve

Shpenzimet për aktivitetet e kunjit dhe të lagjes zakonisht paguhen me fondet e buxhetit. Megjithatë, një president kunji ose peshkop mund të autorizojë një ngjarje për mbledhje fondesh çdo vit vetëm për qëllimet vijuese:

  • Për të ndihmuar me pagimin e aktiviteteve të renditura te 20.6.2.

  • Për të ndihmuar me blerjen e pajisjeve që i duhen njësisë për kampet vjetore siç përvijohet te 20.6.4.

Nëse zhvillohet një veprimtari për mbledhje fondesh, ajo duhet të ofrojë vlerë ose shërbim kuptimplotë.

Udhëheqësit sigurojnë që fondet e mbledhura shpërndahen në mënyrë të paanshme. Buxheti për kuorumet e Priftërisë Aarone bazohet në numrin e të rinjve në lagje. Buxheti për të rejat bazohet në numrin e të rejave në lagje.

Kontributet në ngjarjet për mbledhje fondesh janë vullnetare. Udhëheqësit sigurohen që anëtarët nuk ndihen të detyruar që të kontribuojnë.

Njësitë që financojnë veprimtari për mbledhje fondesh nuk duhet të reklamojnë ose të kërkojnë përtej kufijve të tyre. As nuk duhet të shesin produkte apo shërbime derë më derë.

Shembuj të aktiviteteve për mbledhje fondesh që nuk miratohen përfshijnë:

  • Aktivitete që do të ishin të tatueshme.

  • Aktivitete të kryera me punë të paguar, qoftë nëpërmjet njerëzve të punësuar apo nëpërmjet kontratës.

  • Aktivitete argëtimi për të cilat kunji apo lagjja i paguan pjesëmarrësit në shfaqjet për shërbimet e tyre.

  • Shitjen e mallrave apo shërbimeve nga një biznes tregtar.

  • Lojërat e fatit, të tilla si lotaritë dhe bingot.

  • Aktivitete ku nuk ka siguri.

Cilido përjashtim prej këtyre udhëzimeve duhet të miratohet nga Presidenca e Zonës.

20.7

Rregulloret dhe Orientimet mbi Sigurinë për Aktivitetet

Udhëheqësit sigurohen që të respektohen rregulloret dhe orientimet vijuese mbi sigurinë në të gjitha aktivitetet e Kishës.

20.7.1

Mbikëqyrja nga Persona në Moshë Madhore

Të paktën dy persona në moshë madhore duhet të jenë të pranishëm në të gjitha aktivitetet e Kishës ku marrin pjesë fëmijët dhe rinia. Mund të nevojiten edhe persona të tjerë në moshë madhore në varësi të madhësisë së grupit, zotësive që kërkohen për aktivitetin ose faktorëve të tjerë. Prindërit nxiten që të ndihmojnë.

Të gjithë ata që punojnë me fëmijët dhe rininë duhet të kryejnë trajnimin për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinisë. Shihni ProtectingChildren.ChurchofJesusChrist.org.

20.7.2

Kriteret e Moshës për Pjesëmarrjen në Aktivitetet për Rininë

Me miratimin e prindërve të tyre, të rinjtë e të rejat mund të frekuentojnë kampe me fjetje duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 12 vjeç. Ata mund të frekuentojnë mbrëmje vallëzimi, konferenca rinie dhe konferenca FSY‑je duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 14 vjeç.

20.7.3

Sigurimet

20.7.3.1

Sigurimi për Automjetin Vetjak

Shihni 20.7.7.

20.7.3.2

Sigurimi për Shëndetin Vetjak dhe Aksidentet

Në shumë pjesë të botës, mbulimi i sigurimeve për shëndetin dhe aksidentin është në dispozicion nëpërmjet punëdhënësve ose programeve shtetërore. Anëtarët që e kanë këtë mundësi sigurimi duhet të marrin të gjitha përfitimet në dispozicion nëse u ndodh ndonjë lëndim gjatë një aktiviteti të Kishës përpara se të kërkojnë ndihmë nga sigurimi i Kishës për aktivitetet (shihni 20.7.3.4).

20.7.3.3

Sigurimi i Përgjegjësisë Publike

Kisha i këshillon anëtarët dhe udhëheqësit që mbikëqyrin aktivitetet e Kishës ta mbrojnë veten, aty ku është e mundur, duke qenë të siguruar në shumë të arsyeshme me anë të një sigurimi të përgjegjësisë. Sigurime të tilla mund të vihen në dispozicion nëpërmjet sigurimit të pronarëve të shtëpive ose policave të tjera. Për më shumë informacion, shihni “FAQs—What Should I Do?” [“PBR‑të – Çfarë Duhet të Bëj?”] te ChurchofJesusChrist.org.

20.7.3.4

Programi i Ndihmës Mjekësore në Aktivitetet e Kishës

Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, programi i Ndihmës Mjekësore në Aktivitetet e Kishës (NMAK), mundëson ndihmë dytësore mjekësore dhe dentare për lëndimet që ndodhin gjatë pjesëmarrjes në një aktivitet të Kishës. Ai mundëson edhe ndihmë për ceremoninë mortore nëse është e nevojshme. Ky program është krijuar që të jetë një shtesë, jo që të zëvendësojë sigurimin vetjak të personit për shëndetin dhe sigurimin për aksidentet. Për më shumë informacion, shihni “FAQs—What Should I Do?” [“PBR‑të – Çfarë Duhet të Bëj?”] te ChurchofJesusChrist.org.

Nëse ndodh një aksident gjatë një ngjarjeje të financuar nga Kisha, udhëheqësit vendosin nëse mund të nevojitet NMAK‑ja. Cilido udhëheqës mund të raportojë një incident në sistemin Raportimi Global i Incidentit tek incidents.ChurchofJesusChrist.org. Nëse udhëheqësi përcakton se duhet kujdes mjekësor që e tejkalon ndihmën e parë, peshkopi do të njoftohet dhe do të marrë informacionin e regjistrimit. Peshkopi shqyrton aftësinë e një personi për të paguar shpenzimet mjekësore me anë të mënyrave të tjera, të tilla si me mbulim sigurimi vetjak ose burime të tjera. Ai mund të autorizojë përdorimin e fondeve të NMAK-së nëse mendon se është e përshtatshme.

Për më shumë informacion, shihni Church Activity Medical Assistance Handbook [Manuali i Ndihmës Mjekësore në Aktivitetet e Kishës]. Për ta marrë këtë manual, vihuni në kontakt me:

Deseret Mutual Benefit Administrators

P.O. Box 45530

Salt Lake City, UT 84145–0530

Telefoni: 1–801–578–5650 ose 1–800–777–1647

Adresa e postës elektronike: churchactivity@dmba.com

Këndi i internetit: dmba.com/churchactivity

20.7.3.5

Certifikatat e Sigurimit

Kishës shpesh i kërkohet të japë vërtetime të sigurimit për aktivitetet. Këto kërkesa vijnë për shkak të marrëveshjeve të qirave, kontratave ose lejeve që lidhen me aktivitetet.

Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, udhëheqësit mund ta marrin një certifikatë që tregon një vërtetim të sigurimit tek InsuranceCertificates.ChurchofJesusChrist.org. Jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë udhëheqësit duhet të vihen në kontakt me zyrën zonale. Kërkesat duhet të përfshijnë:

  • Emrin dhe adresën e organizatës që kërkon vërtetim të sigurimit.

  • Një përshkrim dhe vendndodhje të godinës, nëse godina merret me qira.

  • Kërkohet limiti i përgjegjësisë.

  • Informacione të tjera që lidhen me aktivitetin.

Udhëheqësit duhet të planifikojnë shumë më përpara për të lejuar kohë që të përgatiten certifikatat.

20.7.4

Leja Prindërore

Fëmijët dhe të rinjtë e të rejat nuk lejohen të marrin pjesë në një aktivitet të Kishës pa leje nga prindërit ose kujdestarët e tyre. Për aktivitetet e Kishës që përfshijnë qëndrim me fjetje, udhëtime të gjata ose rreziqe më të mëdha se ato të zakonshmet, është i nevojshëm një miratim me shkrim. Disa aktivitete mund të kërkojnë planifikime shtesë për të pakësuar rreziqet. Siguria duhet të jetë gjithmonë një element i rëndësishëm për t’u marrë parasysh. Shihni 20.7.6.1.

Prindërit dhe kujdestarët e japin këtë miratim duke nënshkruar formularin Permission and Medical Release [Autorizim dhe Lejim për Trajtim Mjekësor]. Personi që e drejton aktivitetin duhet të ketë një formular të nënshkruar për çdo pjesëmarrës.

20.7.5

Raportimet për Keqtrajtimin

Çdo keqtrajtim që ndodh gjatë një aktiviteti të Kishës duhet të raportohet tek autoritetet civile. Duhet të viheni menjëherë në kontakt me peshkopin. Udhëzimet për anëtarët jepen te 38.6.2.7. Udhëzimet për peshkopët jepen te 38.6.2.1.

Për përkufizimet e keqtrajtimit, shihni 38.6.2.3 dhe 38.6.2.4.

20.7.6

Masat Paraprake të Sigurisë, Përgjigjja ndaj Aksidenteve dhe Raportimi i Aksidenteve

20.7.6.1

Masat Paraprake të Sigurisë

Udhëheqësit dhe pjesëmarrësit i shqyrtojnë me kujdes aktivitetet për të siguruar rrezikun minimal të lëndimit ose sëmundjes. Aktivitetet gjithashtu duhet të përfshijnë rrezikun minimal të dëmtimit të pronës. Gjatë aktiviteteve, udhëheqësit bëjnë çdo përpjekje për të krijuar siguri. Duke planifikuar në mënyrë të efektshme dhe duke ndjekur masat paraprake të sigurisë, udhëheqësit mund ta minimizojnë rrezikun e aksidenteve.

Aktivitetet duhet të përfshijnë trajnimin dhe mbikëqyrjen e duhur. Ato duhet të jenë të përshtatshme gjithashtu për moshën, aftësitë dhe pjekurinë e pjesëmarrësve.

Udhëheqësit i udhëzojnë të gjithë pjesëmarrësit për praktikat e sigurisë lidhur me aktivitetin. Kur aktivitetet kërkojnë zotësi fizike ose përvojë të veçantë, mund të jetë e nevojshme të merret një trajnim i specializuar ose të përdoren udhëzues profesionistë.

Udhëheqësit duhet të jenë të përgatitur për urgjencat. Ata gjithashtu duhet të dinë paraprakisht se si të vihen në kontakt me forcat vendore të zbatimit të ligjit dhe shërbimet e urgjencave. Për më shumë informacion, shihni “FAQs—What Should I Do?” [“PBR‑të – Çfarë Duhet të Bëj?”] te ChurchofJesusChrist.org.

Pamja
burra duke luajtur futboll

20.7.6.2

Përgjigjja ndaj Aksidenteve

Nëse ndodh një aksident ose lëndim në pronën e Kishës ose gjatë një aktiviteti të Kishës, udhëheqësit respektojnë orientimet vijuese, si të jetë e zbatueshme:

  • Jepni ndihmën e parë. Nëse një person ka nevojë për kujdes të shtuar mjekësor, vihuni në kontakt me shërbimet mjekësore të urgjencës. Vihuni në kontakt edhe me prindin, kujdestarin ose një të afërm tjetër dhe me peshkopin ose presidentin e kunjit.

  • Nëse dikush humbet ose vdes, njoftoni menjëherë forcat vendore të zbatimit të ligjit. Bashkëpunoni tërësisht me ta.

  • Jepni përkrahje emocionale.

  • Mos e inkurajoni ose shkurajoni veprimin ligjor. Mos bëni zotime në emër të Kishës.

  • Mblidhni dhe mbani shënim emrat e dëshmitarëve, informacionin e tyre të kontaktit, rrëfimet për atë që ndodhi dhe fotografitë.

  • Raportojeni aksidentin (shihni 20.7.6.3).

20.7.6.3

Raportimi i Aksidenteve

Situatat vijuese duhet të raportohen në internet tek incidents.ChurchofJesusChrist.org. Peshkopi, presidenti i kunjit ose anëtari që ai përcakton i cili ka dijeni për incidentin, e bën menjëherë raportimin.

  • Një aksident ose lëndim ndodh në pronën e Kishës ose gjatë një aktiviteti të Kishës.

  • Ka humbur një person që po merrte pjesë në një aktivitet të Kishës.

  • Dëmtohet prona private, publike ose e Kishës gjatë një aktiviteti të Kishës.

  • Bëhet kërcënim për padi ligjore apo pritet një padi e tillë.

Nëse një ngjarje rezulton në lëndime serioze, fatalitet ose person të humbur, presidenti i kunjit, peshkopi ose anëtari që ai përcakton, ndërmerr menjëherë njërën nga masat vijuese:

  • Në Shtetet e Bashkuara ose Kanada, ai i telefonon së pari Nënsektorit për Administrimin e Rreziqeve në zyrat qendrore të Kishës (1–801–240–4049 ose 1–800–453–3860, numri i brendshëm 2–4049; pas orarit të punës ose në fundjavat, merrni në telefon 1–801–240–1000 ose 1–800–453–3860 dhe operatori do të vihet në kontakt me dikë menjëherë). Më pas vihet në kontakt me Presidencën e Zonës.

  • Jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, njoftohet zyra zonale.

Presidenti i kunjit ose peshkopi ia raporton gjithashtu lëndimet dhe dëmtimet që përfshijnë godinat ose pronën e Kishës përgjegjësit të Kishës për godinat.

Për më shumë informacion, shihni “FAQs—What Should I Do?” [“PBR‑të – Çfarë Duhet të Bëj?”] te ChurchofJesusChrist.org.

20.7.6.4

Sigurimi dhe Pyetjet

Nëse ndodh një lëndim gjatë një ngjarjeje të Kishës, udhëheqësit përcaktojnë nëse do të zbatohet programi i Ndihmës Mjekësore në Aktivitetet e Kishës (shihni 20.7.3.4).

Në disa raste, presidenti i kunjit ose peshkopi mund të ketë pyetje rreth çështjeve të sigurisë ose pretendimeve kundër Kishës. Presidenti i kunjit (ose një peshkop nën drejtimin e tij) ia përcjell pyetje të tilla Nënsektorit për Administrimin e Rreziqeve ose zyrës zonale.

20.7.7

Udhëtimi

Udhëtimet për aktivitetet e Kishës duhet të miratohen nga peshkopi ose presidenti i kunjit. Ky udhëtim nuk duhet të vërë barrë të panevojshme mbi anëtarët. Nuk inkurajohen aktivitete me udhëtime në largësi të mëdha.

Në disa situata të jashtëzakonshme, një president kunji ose një peshkop mund të ndiejë se udhëtimi në largësi të madhe është i justifikueshëm për një aktivitet. Ai shqyrton me lutje përfitimet e mundshme shpirtërore të aktivitetit, kostot dhe ndikimin te familjet. Nëse ai e miraton një udhëtim të tillë, anëtarët nuk duhet të paguajnë për shpenzimet e tyre.

Praktikat e udhëtimit dhe zbatimi i orientimeve në këtë pjesë duhet të jenë të përputhshme mes njësive në të njëjtën zonë ose këshillit bashkërendues. Presidentët e kunjeve mund të diskutojnë dhe të bien dakord për praktikat e udhëtimit gjatë mbledhjeve të këshillit bashkërendues.

Udhëheqësit plotësojnë formularin Plani i Ngjarjes dhe Aktivitetit për aktivitetet që përfshijnë udhëtime në largësi të mëdha.

Kur një aktivitet i Kishës për rininë përfshin udhëtim në largësi të madhe ose qëndrim me fjetje, prindërit ose kujdestarët duhet të japin leje me shkrim që fëmijët e tyre të marrin pjesë (shihni 20.7.4). Duhet të sigurohet mbikëqyrje nga persona të përgjegjshëm në moshë madhore (shihni 20.7.1).

Kur është e realizueshme, grupet e Kishës duhet të përdorin transportin tregtar për udhëtime në largësi të mëdha. Ai transport duhet të jetë i licencuar dhe i mbrojtur nga sigurimi i përgjegjësisë.

Kur grupet e Kishës udhëtojnë me automjete pasagjerësh privatë, secili automjet duhet të jetë në gjendje të sigurt funksionale. Çdo njeri duhet të përdorë një rrip sigurimi. Çdo drejtues automjeti duhet të jetë një person në moshë madhore me patentë dhe i përgjegjshëm. Të gjithë automjetet dhe drejtuesit e tyre duhet të mbulohen me shuma të arsyeshme të sigurimit të përgjegjësisë për automjetin. Duhet të bëhen plane për t’u siguruar që drejtuesit e automjeteve të jenë të vëmendshëm dhe vigjilentë. Kurdoherë që është e mundur, një person në moshë madhore nuk mund të rrijë vetëm me një të ri ose të re në automjet, në qoftë se ky i ri ose kjo e re nuk është fëmija i vet.

Nuk lejohet që organizatat e Kishës të kenë në zotërim ose të blejnë automjete apo autobusë për grupe që do të udhëtojnë.

Një burrë dhe një grua nuk duhet të udhëtojnë bashkë, vetëm ata të dy, për në aktivitetet, mbledhjet ose detyrat e Kishës, përveç rastit kur janë të martuar me njëri‑tjetrin ose që të dy janë të pamartuar.

Për më shumë informacion, shihni “FAQs—What Should I Do?” [“PBR‑të – Çfarë Duhet të Bëj?”] te ChurchofJesusChrist.org.

20.8

Rregulloret e Administrimit të Aktiviteteve

Udhëheqësit sigurohen që t’i respektojnë rregulloret dhe orientimet vijuese kur administrojnë të gjitha aktivitetet e Kishës.

20.8.1

Materialet me të Drejtë Autori

Shihni 38.8.10.

20.8.2

Marrja me Qira për Aktivitete e Godinave që nuk Janë të Kishës

Kur godinat e Kishës nuk janë të përshtatshme për një aktivitet kunji ose shumëkunjësh, mund të merren me qira godina me miratim nga presidenti i kunjit. Kërkesa të tilla trajtohen nga përgjegjësi i Kishës për godinat.

Njësive vendore mund t’u kërkohet të tregojnë një dokument sigurimi të përgjegjësisë kur marrin me qira ose përdorin godina që nuk janë në pronësi të Kishës. Për informacion se si të merret një certifikatë për sigurimin, shihni 20.7.3.5.

20.8.3

Aktivitetet e Tatueshme

Udhëheqësit sigurohen që aktivitetet të mos e rrezikojnë statusin e përjashtimit nga tatimet për Kishën. Për orientime, shihni 34.8.1.