2020
Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Shërbimit në Tempull
Mars 2020


Parimet e Dhënies së Shërbesës, Mars 2020

DHËNIA E SHËRBESËS NËPËRMJET SHËRBIMIT NË TEMPULL

Kur i ndihmojmë të tjerët të gëzojnë bekimet e tempullit, ne po japim shërbesë.

Pamja
ministering

Sfondi nga Getty Images; fotografi e Tempullit të Tegusigalpës në Honduras

Ia vlen përpjekja për të frekuentuar tempullin. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se “tempull[i] është vendimtar… për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë dhe për atë të familjeve tona. …

… Secili prej nesh ka nevojë për forcimin dhe udhëzimin e vazhdueshëm shpirtëror, që janë të mundur vetëm në shtëpinë e Zotit.”1

Frekuentimi i tempullit kërkon administrimin e kohës sonë, përgjegjësive dhe burimeve, si edhe të qenit të përgatitur shpirtërisht. Ne jemi duke dhënë shërbesë kur i përcaktojmë pengesat që i mbajnë vëllezërit dhe motrat tona larg tempullit dhe i ndihmojmë ata të gjejnë zgjidhje.

Tempulli Është një Bekim që Gjithkush Mund ta Gëzojë

Një misionare e porsakthyer, Megi, po ecte drejt dyerve të Tempullit të Konas në Havai, kur vërejti një grua në moshë të re që ishte ulur e vetme jashtë te një stol. Megi ndjeu se duhej t’i fliste gruas në moshë të re, por nuk ishte e sigurt se çfarë t’i thoshte. Ndaj ajo e pyeti rreth domethënies së një tatuazhi në kyçin e këmbës së gruas. Prej kësaj lindi një bisedë që e lejoi të renë, Lanin, të tregonte historinë e saj.

Lani i tregoi Megit rreth vështirësisë së saj për t’u kthyer në pjesëmarrje të plotë në Kishë, rreth anëtarëve të sjellshëm që po e ndihmonin atë, dhe për shpresën e saj që një ditë të vulosej me të bijën.

Megi e ftoi Lanin që të vinte të ulej në dhomën e pritjes së tempullit me të. Ato nuk do të ishin ende në gjendje të hynin më tej brenda në tempull, por do të ishin në gjendje ta kalonin pragun e portës. Lani ra dakord dhe ato hynë së bashku nga dera kryesore. Një punonjës tempulli i drejtoi ata te një stol poshtë një pikture të Shpëtimtarit.

Ndërsa u ulën së bashku, Lani pëshpëriti: “Doja vërtet të vija në tempull sot por isha në siklet”. Për shkak se Megi e ndoqi Shpirtin, ajo ndihmoi që lutja e heshtur e Lanit të merrte përgjigje.

Ide për të Ndihmuar Njerëzit pa Rekomandim

Edhe ata që nuk kanë një rekomandim tempulli ende, mund të bekohen nga tempulli.

  • Shprehini ndjenjat tuaja rreth mënyrës se si Zoti ju ka bekuar ju nëpërmjet punës në tempull.

  • Ftojeni dikë të marrë pjesë në një shtëpi të hapur tempulli ose në qendrën e vizitorëve. Gjejini shtëpitë e hapura të radhës te temples.ChurchofJesusChrist.org.

  • Shihni fotografitë dhe mësoni më shumë rreth tempullit te temples.ChurchofJesusChrist.org.

Bëjeni Frekuentimin e Tempullit të Lehtë për të Tjerët

Edhe për anëtarët me një rekomandim tempulli, frekuentimi i tempullit mund të jetë një sfidë. Disave mund t’u duhet të udhëtojnë në distanca të gjata. Të tjerë mund të kenë fëmijë të vegjël ose pjesëtarë të moshuar të familjes që kanë nevojë për përkujdesje. Ne mund të punojmë së bashku për ta bërë të mundur shërbimin në tempull për këdo.

Leola Shendleri ndihej e mbingarkuar prej kujdesit për bashkëshortin e saj të sëmurë dhe katër fëmijët e tyre. Kështu që ajo vendosi të gjente kohë çdo të martë për të frekuentuar një tempull atje pranë. Ai u bë një burim paqeje dhe fuqie në jetën e saj.

Një ditë ajo dëgjoi se disa motra të moshuara në lagjen e saj dëshironin fort të frekuentonin tempullin, por nuk kishin mjete transporti. Leola i ftoi që t’i shoqëronte me makinë. Për 40 vjetët në vijim, ajo rrallëherë shkoi e vetme në tempull.2

Leola u bekua dhe ajo bekoi të tjerë kur i ftoi që t’i merrte në tempull me vete.

Ide për t’i Ndihmuar të Tjerët të Frekuentojnë Tempullin

Si mund t’i ndihmoni të tjerët të shkojnë më shpesh në tempull? Juve mund t’ju duket se të njëjtat ide mund t’ju ndihmojë edhe ju.

  • Shkoni së bashku. Ofrohuni që të siguroni transportin ose të organizoni transportin për dikë. Kjo mund të nxitë edhe dikë tjetër ta frekuentojë tempullin.

  • Kërkojuni pjesëtarëve të familjes apo lagjes suaj që t’ju ndihmojnë të kryeni ordinanca për paraardhësit tuaj, veçanërisht kur keni gati për ordinanca shumë emra të familjes.

  • Ofrohuni që të kujdeseni për fëmijët, që prindërit të mund të frekuentojnë tempullin. Ose organizohuni që të kujdeseni për fëmijët e njëri‑tjetrit me radhë.

Kur Tempulli Është Larg

Çifti Shandradas, Roshan dhe Sheron Entoni nga Kolombo në Sri‑Lanka, vendosën që të vuloseshin në tempull. Miqtë e tyre Eni dhe Enton Kumarasami ishin shumë të emocionuar për ta. Por ata e dinin se udhëtimi për në Tempullin e Manilës në Filipine nuk ishte i lehtë apo i lirë.

Roshani dhe Sheroni i kishin kursyer paratë dhe rezervuan bileta avioni kohë përpara për të fluturuar me çmimin që mund të përballonin. Më në fund, dita erdhi. Megjithatë, gjatë ndalesës së tyre në Malajzi, ata zbuluan se për të vazhduar për në Filipine, atyre ose u duhej vizë, ose iu nevojitej të fluturonin me një linjë tjetër ajrore. Ishte e pamundur marrja e një vize dhe ata nuk përballonin dot as blerjen e biletave me një linjë tjetër ajrore. Por nuk e përballonin dot idenë e kthimit në shtëpi pa qenë të vulosur.

I pasigurt se ç’të bënte tjetër, Roshani mori në telefon Entonin. Entoni dhe Eni dëshironin fort që t’i ndihmonin. Ata ishin një nga çiftet e pakta në Sri-Lanka, që ishin vulosur në tempull dhe e dinin se çfarë bekimi ishte kjo. Por kohët e fundit ata i kishin përdorur kursimet e tyre për të ndihmuar një pjesëtar të familjes në nevojë dhe nuk kishin mjaftueshëm para sa tʼi ndihmonin Roshanin dhe Sheronin që të blinin bileta për një fluturim të ri.

Në Sri-Lanka është zakon që dhëndri t’i blejë nuses një varëse floriri, që ajo të ketë disa para nëse bashkëshorti i saj vdes. Eni vendosi që ta shiste varësen e saj për t’i ndihmuar që të blinin bileta të reja. Dhurata e saj bujare bëri të mundur që Roshani dhe Sheroni ta arrinin orarin që kishin lënë në tempull në Manila.

“E di çfarë vlere ka vulosja në tempull”, tha Eni. “E di që Sheroni dhe Roshani do të jenë një forcë e madhe për degën. Nuk doja që ata ta humbnin këtë mundësi.”3

Ide për t’i Ndihmuar Njerëzit që nuk Mund ta Vizitojnë Tempullin

Ju mund të thirreni t’u jepni shërbesë atyre që nuk mund të shkojnë shpesh ose fare në tempull, për shkak të distancave ose kostove. Por sidoqoftë, mund të gjeni mënyra për t’i ndihmuar ata që t’i vlerësojnë bekimet e tempullit.

  • Jepuni mësim ose merrni pjesë së bashku në një kurs për përgatitjen për tempull ose të historisë familjare.

  • Jepuni atyre një fotografi të tempullit që ta varin në shtëpitë e tyre.

  • Nëse keni qenë në tempull, tregojini ndjenjat tuaja rreth përvojës suaj dhe dëshmisë suaj për ordinancat e tempullit.

  • Ndihmojini ata të mësojnë më shumë rreth besëlidhjeve që kanë bërë dhe se si t’i mbajnë ato.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018, f. 114.

  2. Shih LaRene Gaunt, “Finding Joy in Temple Service”, Ensign, tetor 1994, f. 8.

  3. Eni dhe Entoni ishin në gjendje t’i merrnin sërish varëset e tyre pasi iu rikthyen paratë nga Fondi i Përgjithshëm i Kishës i Ndihmës për Frekuentuesit e Tempullit që u jep ndihmë financiare vetëm një herë anëtarëve të Kishës që nuk mund ta përballojnë dot përndryshe frekuentimin e tempullit.