2016
Duke Lypur Mëshirë
Tetor 2016


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Duke Lypur Mëshirë

Pamja
begging for mercy

Ilustrimi nga Stan Fellows

Në një udhëtim drejt një qyteti të afërt në Estoni, pashë një burrë që po lypte para. Si për çudi, e njoha atë që nga koha kur shërbeva si misionar në atë qytet 10 vite më parë. Ai po mbante një trastë të madhe me shishe plastike, njësoj si më parë, që t’i mblidhte për të fituar para nga riciklimi. M’u kujtua se ai përherë kërkonte qindarkat e mbetura dhe nëse i jepje disa, ai të pyeste a kishe më tepër.

U trondita kur e pashë. Edhe pas 10 vitesh ai ishte po i njëjti – pak më i thinjur, por dukej sikur kishte jetuar të njëjtën jetë duke lypur para ditë pas dite. Mendova për 10 vitet e mrekullueshme që unë kisha jetuar ndërkohë, që përfshinin martesën në tempull, marrjen e një arsimimi, gjetjen e një vendi të mirë pune dhe gëzimin e një shëndeti të mirë.

E mora me mend se kjo mund të ishte hera e fundit që e shihja dhe ndjeva se duhej t’i jepja diçka. Problemi ishte se kisha vetëm një kartëmonedhë që vlente më shumë nga sa isha i gatshëm t’i jepja. U zura ngushtë nga zgjedhja që kisha – të mos i jepja asgjë apo t’i jepja më shumë nga sa dëshiroja. Vendosa se nuk do të bënte ndonjë ndryshim të madh për mua dhe atij do t’ia zbukuronte ditën, prandaj ia dhashë paratë.

Jo më larg se dy ditë më vonë, e gjeta veten në një situatë të ngjashme, por këtë herë isha unë ai që po lypte mëshirë. Kisha ngatërruar datën për bërjen e një kërkese për një bursë të rëndësishme. Mendoja se e kisha dorëzuar dy javë më parë, por u tmerrova kur e kontrollova përsëri datën dhe pashë se e kisha dërguar atë një ditë me vonesë.

Shuma e bursës ishte saktësisht sa njëqindfishi i shumës që i kisha dhënë lypësit dhe nuk besoj se kjo ishte rastësi. E gjeta veten duke u lypur mëshirë, si në lutje drejtuar Atit tim Qiellor dhe me anë të mesazheve elektronike drejtuar drejtuesve të universitetit. Ata thanë se do ta përfshinin kërkesën, por do ta shënonin se ishte me vonesë.

Lutja ime mori përgjigje dhe u bekova duke e marrë bursën, e cila më ndihmoi mua dhe time shoqe shumë financiarisht. Por më e rëndësishmja është se kjo përvojë më dha një mësim të vlefshëm: a nuk jemi ne të gjithë lypsarë përpara Perëndisë? (shih Mosia 4:19).