Historia Familjare: Paqja, Mbrojtja dhe Premtimet
Nga një bisedë, “Gathering, Healing, and Sealing Families” [“Mbledhja, Shërimi dhe Vulosja e Familjeve”], e dhënë në Konferencën RootsTech të Historisë Familjare në Solt-Lejk-Siti në Juta, SHBA më 14 shkurt 2015.
Kur familja juaj merr pjesë në mbledhjen e analeve, shërimin e zemrave dhe vulosjen e pjesëtarëve të familjes, ju dhe pasardhësit tuaj do të bekoheni përherë e përgjithmonë.
Historia e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një histori rreth familjeve. Kur them familjet, unë nuk i drejtohem konceptit tonë të sotëm të nënës, babait dhe fëmijëve.
Unë e përdor termin sipas mënyrës që e përdor Zoti, si një sinonim për fisin ose familjet shumëbrezëshe, sepse çdo njeri e ka një familje. Plani i Atit tonë Qiellor për fëmijët e Tij përqendrohet në këtë lloj familjeje – me fëmijët që marrin forcë nga paraardhësit e shumë brezave të shkuar dhe prindërit që kërkojnë t’i bekojnë pasardhësit e tyre në brezat e ardhshëm.
Në këtë kuptim Libri i Mormonit gjithashtu tregon histori të familjeve. Teksa i lexojmë këto histori, ne gjejmë që familjet nuk kanë ndryshuar aq shumë përgjatë shekujve. Edhe ata që jetuan në një kohë e vend tjetër, janë shumë të ngjashëm me ne – dhe nuk ka ndryshuar as dëshira e Perëndisë për fëmijët e Tij që të jetojnë në familje të lumtura, të përjetshme.
Përse e ruajti Zoti analin e këtyre historive? Çfarë donte Ai që ne të mësojmë prej tyre? A përmbajnë ato mësime që mund të na ndihmonin në përpjekjet tona për t’i mbledhur, shëruar e vulosur familjet tona?
Një Mësim nga Lehi
Unë besoj se familja e parë në Librin e Mormonit – familja e Lehit – ka një mësim të fuqishëm për ne, të cilin mund të mos e kemi vënë re. Familja e Lehit mund të na mësojë shumë rreth analeve të familjes – përse ato janë të rëndësishme për Zotin dhe përse duhet të jenë të rëndësishme për ne.
Kur fillon historia, Lehi dhe Saria po rritin bijat dhe katër bijtë e tyre në Jerusalem, duke bërë një jetë relativisht të rehatshme në atë qytet të madhërishëm. Jeta e tyre ndryshoi përgjithmonë kur Zoti e urdhëroi Lehin që ta çonte familjen e tij për në vendin e shkretë.
Lehi u bind dhe ai dhe familja e tij i lanë pas zotërimet e tyre materiale dhe udhëtuan nëpër vendin e shkretë. Pasi udhëtuan për njëfarë kohe, Lehi i tha birit të tij, Nefit:
“Shiko, unë kam ëndërruar një ëndërr, në të cilën Zoti më ka urdhëruar që ti dhe vëllezërit e tu duhet të ktheheni në Jeruzalem.
Pasi, vër re, Labani ka analin e Judenjve si dhe një gjenealogji të stërgjyshërve të mi, të cilat janë të gdhendura në fletë prej tunxhi” (1 Nefi 3:2–3; theksimi i shtuar).
Për shkak të këtij urdhërimi, familjet tona janë bekuar me shpalljen e madhërishme vijuese nga Nefi të besimit dhe bindjes: “Dhe ndodhi që unë, Nefi, i thashë atit tim: Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron” (1 Nefi 3:7).
Fletët prej tunxhi ishin një anal. Ato përmbanin shkrimet e shenjta, por përmbanin edhe historinë e familjes së Lehit. Zoti e dinte se sa e rëndësishme do të ishte që të ruhej ai anal për brezat e shumtë që do të vinin.
A e keni pyetur ndonjëherë veten përse Zoti nuk e urdhëroi Lehin, por përkundrazi bijtë e tij, që të ktheheshin për analin? Ai ishte patriarku i familjes. Zoti ia dha atij vegimin. A nuk do të kishte pasur Lehi më shumë ndikim mbi Labanin sesa bijtë e tij?
Ne nuk e dimë përse Zoti i urdhëroi bijtë e Lehit që të ktheheshin në Jerusalem, por vërtet e dimë se ata u munduan për ta përmbushur atë që Zoti u kërkoi të bënin. Detyra ishte e vështirë dhe ajo vuri në provë besimin e tyre. Ata mësuan mësime të vlefshme që do t’u vlenin shumë gjatë gjithë udhëtimit të tyre nëpër vendin e shkretë. Ndoshta më i rëndësishmi, ata mësuan se, kur Zoti urdhëron, Ai me të vërtetë siguron një udhë.
Mund ta pyetim veten, çfarë dëshiron Zoti që të mësojnë bijtë dhe bijat tona ndërkohë që “kthehen” për të marrë analet e familjeve të tyre? Si po e siguron Ai një udhë për ta? A ka përvoja që Ai i dëshiron ata t’i kenë? A po i ftojmë ata që t’i kenë këto përvoja? Çfarë bekimesh po shpreson Ai t’u japë bijve e bijave tuaja nëpërmjet shërbimit në tempull dhe për historinë familjare?
Kur Nefi dhe vëllezërit e tij u kthyen tek tenda e atit të tyre, Lehi i “mori analet që ishin gdhendur në fletët e tunxhit dhe i shqyrtoi ato që nga fillimi”. Atje ai gjeti “pesë librat e Moisiut”, “profecitë e profetëve të shenjtë” dhe “një gjenealogji të etërve të tij; kështu që ai e dinte se ishte pasardhës i Jozefit; … që u shit në Egjipt”. Dhe kur Lehi “i pa të gjitha këto gjëra, ai u mbush me Shpirtin” (1 Nefi 5:10, 11, 13, 14, 17).
Lehi më pas ia mësoi familjes së tij atë që ai e kishte mësuar nga fletët. Ju mund të thoni që tenda e tij u bë një qendër e historisë familjare dhe e të mësuarit – po ashtu sikurse duhet të jenë shtëpitë tona.
Është e lehtë të kuptojmë përse Zoti donte që familja e Lehit t’i kishte këto anale. Ato u dhanë pasardhësve të tij një ndjenjë identiteti, duke i lidhur ata me patriarkët besnikë të së shkuarës dhe duke mbjellë në zemrat e tyre “premtimet e bëra etërve” (DeB 2:2; Joseph Smith—Historia 1:39). Këto anale ishin kaq të rëndësishme për besimin e brezave të palindur sa Shpirti e paralajmëroi Nefin se pa to, një “komb [i tërë do] të bjerë dhe [do] të mbarojë në mosbesim” (1 Nefi 4:13).
Përvoja e një populli tjetër në Librin e Mormonit tregon se sa e vërtetë është që, kur humben analet, humbet e vërteta dhe përfundimet për brezat e ardhshëm mund të jenë shkatërrimtare.
Mulekitët u larguan nga Jerusalemi rreth së njëjtës kohë sikurse familja e Lehit. Por, ndryshe nga familja e Lehit, “ata nuk kishin sjellë anale me vete”. Në kohën kur Mosia i zbuloi ata rreth 400 vjet më vonë, “gjuha e tyre ishte bërë e prishur; … dhe ata mohonin qenien e Krijuesit të tyre” (Omni 1:17). Ata e kishin humbur identitetin e tyre si një popull i besëlidhjes.
Mosia ua mësoi mulekitëve gjuhën e tij që ata mund të mësonin nga analet që zotëronte ai. Si rrjedhojë, mulekitët iu nënshtruan një ndryshimi nga një shoqëri plot shqetësime dhe pa besim në një shoqëri që e kuptonte planin e Perëndisë për lumturinë e tyre – dhe të familjeve të tyre.
Kthehuni me Familjen Tuaj
Dijenia se kush jemi në lidhje me Perëndinë dhe njëri-tjetrin e ndryshon mënyrën se si mendojmë, veprojmë dhe i trajtojmë të tjerët. Analet janë një pjesë jetike e identitetit dhe e së ardhmes sonë. Vështrimi pas na përgatit të shkojmë përpara.
Prindër, a e keni ftuar familjen tuaj të “kthehet”? A është veçuar familja juaj prej analeve të tyre – ose prej njëri-tjetrit – në njëfarë mënyre ose një tjetër? A është shkëputur lidhja e familjes suaj midis së tashmes dhe së shkuarës? Çfarë ndodhi në historinë tuaj familjare që e shkaktoi këtë shkëputje? A ishte emigrimi, konflikti familjar, kthimi në besimin tek ungjilli apo thjesht kalimi i kohës? A jeni përpjekur kohët e fundit t’i gjeni paraardhësit tuaj në FamilySearch.org?
Shtëpia e Izraelit është shpërndarë dhe në shumë mënyra ajo përfshin shpërndarjen e familjeve dhe të analeve tona. Përgjegjësia jonë është t’i mbledhim ata dhe, atje ku është e nevojshme, t’i shërojmë plagët e shkëputjes. Kur kërkojmë me zell që t’i kthejmë zemrat e fëmijëve tanë drejt etërve të tyre, zemrat tona gjithashtu do të kthehen drejt fëmijëve tanë1 dhe ne do të zbulojmë së bashku paqen dhe shërimin që vijnë nga kjo punë (shih DeB 98:16).
Ashtu si Lehi i dërgoi bijtë e tij të ktheheshin në Jerusalem për analet e shenjta, le t’i dërgojmë fëmijët tanë të kthehen për analet e familjeve tona. Ashtu si Zoti siguroi një udhë për Nefin, Ai ka siguruar internetin dhe teknologji të tjera që do t’i aftësojnë fëmijët tanë për t’i mbledhur e shëruar familjet tona. Dhe Ai ka siguruar tempuj ku ne mund t’i çojmë emrat që i gjejmë, dhe ta bëjmë mbledhjen tonë të përhershme nëpërmjet ordinancave vulosëse.
Gëzimi në Vendin e Shkretë
Kur unë dhe bashkëshortja ime, Sherëll, u martuam, ne vendosëm se do të kishim katër bij. Zoti pati një plan tjetër. Ai na dha katër bija.
Ne kemi udhëtuar me bijat tona përmes vendit të shkretë. Tani ato janë të martuara, me fëmijë dhe po udhëtojnë përmes vendit të tyre të shkretë. A ka qenë gjithçka e lehtë përgjatë udhës? Jo. Ne kemi pasur pjesën tonë të mërmëritjes dhe ka pasur plot vështirësi.
Jeta në vendin e shkretë mund të jetë e ashpër për familjet. Kur njerëzit pyesin: “Si po ia çoni ju dhe familja juaj?” unë shpesh përgjigjem: “Po kalojmë përmes krizave pikërisht tani. Faleminderit që pyesni.”
Por ka edhe çaste të gëzimit të vërtetë përgjatë udhës. Si etër dhe nëna, ne shpenzojmë shumë kohë duke i forcuar fëmijët tanë për vendin e shkretë. Profetët në kohën tonë kanë premtuar se puna e historisë familjare siguron “mbrojtje më të madhe nga ndikimi i kundërshtarit”2 dhe një kthim të “thellë dhe [të] qëndruesh[ëm]” te Shpëtimtari.3 Çfarë mënyre e fuqishme për t’i mbledhur, shëruar dhe vulosur familjet tona.
Si patriarku i familjes sonë, unë u kam kërkuar bijave të mia që të “kthehen” për t’i gjetur analet, për t’i çuar emrat në tempull dhe për t’u dhënë mësim nipërve e mbesave tona. Unë u kam kërkuar atyre të arrijnë ta dinë se nga kush e kanë prejardhjen duke marrë pjesë në historinë tonë familjare.
Një Premtim
Unë premtoj se, kur i ftoni fëmijët tuaj që të “kthehen” dhe të gjejnë analet e familjes suaj, së bashku ju do të “gëz[oheni] jashtëzakonisht” sikurse Lehi e Saria dhe do t’i jepni “falënderime Perëndisë së Izraelit”. Teksa i hetoni analet tuaja, ju do të “mbush[eni] me Shpirtin”, ngaqë do të gjeni “se ato [janë] të dëshirueshme; po, madje me një vlerë të madhe”. Dhe ju do ta dini se “ishte urtësia e Zotit, që [ju] duhet t’i merrni ato me vete”, ndërsa udhëtoni “në vendin e shkretë, drejt tokës [suaj të] premtimit” (1 Nefi 5:9, 17, 21–22).
Kisha është këtu për ta mbështetur e forcuar familjen tuaj në këtë udhëtim. Unë premtoj se, kur familja juaj merr pjesë në mbledhjen e analeve, shërimin e zemrave dhe vulosjen e pjesëtarëve të familjes, ju dhe pasardhësit tuaj – familja juaj – do të bekoheni përherë e përgjithmonë.