2010–2019
Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë
Prill 2017


Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë

Ungjilli i Jezu Krishtit është i mbushur me fuqinë e Tij, e cila është në dispozicion për çdo kërkues të zellshëm, bijë apo bir i Perëndisë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ne jetojmë në një periudhë tepër të vështirë ungjillore. Sfidat, polemikat dhe gjendjet e rënduara shtillen rrotull nesh. Këto kohë të trazuara u parashikuan nga Shpëtimtari. Ai na paralajmëroi se në kohën tonë, kundërshtari do të nxiste zemërim në zemrat e njerëzve dhe do t’i çonte ata në rrugë të gabuar. Prapëseprapë, Ati ynë Qiellor nuk kishte kurrë për qëllim që ne të merreshim vetë me labirintin e problemeve vetjake dhe të çështjeve shoqërore.

Perëndia e deshi kaq shumë botën sa dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur për të na ndihmuar. Dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, dha jetën e Tij për ne. E gjitha kjo që ne të mund të kishim të drejtën e përdorimit të fuqisë së perëndishmërisë – fuqi e mjaftueshme për të përballuar barrët, pengesat dhe tundimet e kohës sonë. Sot do të doja të flisja rreth mënyrës se si ne mund ta marrim në jetën tonë fuqinë e Zotit dhe Mësuesit tonë, Jezu Krishtit.

Ne fillojmë duke mësuar rreth Tij. “Është e pamundur për [ne] të shpëtohe[mi] në padituri.” Sa më shumë të dimë rreth shërbesës dhe misionit të Shpëtimtarit – aq më shumë e kuptojmë doktrinën e Tij dhe atë që Ai bëri për ne – aq më shumë e dimë se Ai mund të na japë fuqinë që na nevojitet në jetën tonë.

Në fillim të këtij viti, unë u kërkova të rinjve në moshë madhore të Kishës që çdo javë t’ia përkushtonin një pjesë të kohës së tyre studimit të çdo gjëje që tha dhe bëri Jezusi siç shënohet te veprat standarde. I ftova ata që t’i bënin citimet nga shkrimet e shenjta rreth Jezu Krishtit në Topical Guide [Udhëzuesin Tematik] planin e tyre mësimor bazë vetjak.

E dhashë atë sfidë ngaqë tashmë e kisha pranuar atë vetë. Lexova dhe nënvizova çdo varg të cituar rreth Jezu Krishtit, siç janë renditur nën titullin kryesor dhe 57 nëntituj në Topical Guide [Udhëzuesin Tematik]. Kur e përfundova atë ushtrim emocionues, bashkëshortja më pyeti se çfarë ndikimi kishte pasur tek unë. I thashë asaj: “Jam bërë tjetër njeri!”

Ndjeva një përkushtim të ripërtërirë ndaj Tij ndërsa lexova përsëri në Librin e Mormonit vetë deklaratën e Shpëtimtarit rreth misionit të Tij në vdekshmëri. Ai shpalli:

“Unë erdha në botë për të bërë vullnetin e Atit tim, sepse Ati im më dërgoi.

Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq.”

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne i referohemi misionit të Tij si Shlyerja e Jezu Krishtit, e cila e bëri ringjalljen një realitet për të gjithë njerëzit dhe e bëri jetën e përjetshme të mundur për ata që pendohen për mëkatet e tyre dhe i marrin e i mbajnë ordinancat dhe besëlidhjet themelore.

Nga pikëpamja doktrinore është e paplotë të flasësh për flijimin shlyes të Zotit me fraza të shkurtra, të tilla si “Shlyerja” apo “fuqia mundësuese e Shlyerjes ” ose “zbatimi i Shlyerjes” apo “duke qenë të forcuar nga Shlyerja”. Këto shprehje paraqesin një rrezik të vërtetë për keqorientim të besimit, duke e trajtuar ngjarjen sikur ajo të kishte jetë dhe aftësi të pavarura nga Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti.

Sipas planit madhështor të përjetshëm të Atit, është Shpëtimtari që vuajti. Është Shpëtimtari që i këputi rripat e vdekjes. Është Shpëtimtari që e pagoi çmimin për mëkatet e shkeljet tona, dhe i fshin ato me kushtin e pendimit tonë. Është Shpëtimtari që na çliron nga vdekja fizike dhe shpirtërore.

Nuk ka asnjë qenie amorfe që quhet “Shlyerje” tek e cila ne mund të thërrasim për ndihmë, shërim, falje apo fuqi. Jezu Krishti është burimi. Terma të shenjtë si Shlyerje dhe Ringjallje përshkruajnë atë që bëri Shpëtimtari, sipas planit të Atit, në mënyrë që ne të mund të jetojmë me shpresë në këtë jetë dhe të fitojmë jetë të përjetshme në botën që do të vijë. Flijimi shlyes i Shpëtimtarit – vepra qendrore e gjithë historisë njerëzore – kuptohet dhe vlerësohet më mirë kur ne posaçërisht dhe qartësisht e lidhim atë me Të.

Rëndësia e misionit të Shpëtimtarit u theksua nga Profeti Jozef Smith, i cili shpalli me forcë se “parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj”.

Ishte pikërisht kjo thënie e Profetit që u dha shtysë 15 profetëve, shikuesve dhe zbuluesve që ta jepnin dhe nënshkruanin dëshminë e tyre për të përkujtuar përvjetorin e 2.000-të të lindjes së Zotit. Ajo dëshmi historike titullohet “Krishti i Gjallë”. Shumë anëtarë i kanë mësuar përmendsh të vërtetat e saj. Të tjerët dinë shumë pak për ekzistencën e saj. Ndërsa kërkoni të mësoni më shumë rreth Jezu Krishtit, unë ju nxit ta studioni “Krishtin e Gjallë”.

Ndërsa shpenzojmë kohë për të mësuar rreth Shpëtimtarit dhe flijimit të Tij shlyes, ne tërhiqemi për të përdorur një tjetër element kyç që të kemi qasje ndaj fuqisë së Tij: ne zgjedhim që të kemi besim në Të dhe ta ndjekim Atë.

Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit janë të gatshëm të ngulmojnë, ta ngrenë zërin dhe të jenë të ndryshëm nga njerëzit e botës. Ata janë të patrembur, të përkushtuar e të guximshëm. Mësova për dishepuj të tillë gjatë një detyre të fundit në Meksikë, ku u takova me drejtues të qeverisë si edhe udhëheqës të besimeve të tjera fetare. Secili më falënderoi për përpjekjet heroike dhe të suksesshme të anëtarëve tanë për t’i mbrojtur dhe ruajtur martesat e familjet e forta në vendin e tyre.

Nuk ka asgjë të lehtë ose të vetvetishme në të bërit dishepuj të tillë të fuqishëm. Përqendrimi ynë duhet të ngulitet te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij. Kërkon një përpjekje të madhe mendore që të shohësh tek Ai në çdo mendim. Por kur ne e bëjmë këtë, dyshimet tona dhe frika jonë largohen.

Kohët e fundit dëgjova për një Dafinë të patrembur. Ajo u ftua që të merrte pjesë në një konkurs në rang vendi për shkollën e saj të mesme në të njëjtën mbrëmje që ishte zotuar të merrte pjesë në një mbledhje të Shoqatës së Ndihmës në kunj. Kur e kuptoi përplasjen dhe u shpjegoi drejtuesve të konkursit se ajo duhej të largohej nga konkursi herët për të marrë pjesë në një mbledhje të rëndësishme, asaj iu tha se do të shkualifikohej nëse e bënte këtë.

Çfarë bëri kjo Dafinë e ditëve të mëvonshme? Ajo e mbajti zotimin e saj për të marrë pjesë në mbledhjen e Shoqatës së Ndihmës. Siç iu premtua, ajo u shkualifikua nga konkursi në rang vendi. Kur u pyet për vendimin e saj, ajo u përgjigj me thjeshtësi: “Epo, Kisha është më e rëndësishme, apo jo?”

Besimi në Jezu Krisht na shtyn të bëjmë gjëra që përndryshe nuk do t’i bënim. Besimi që na nxit të veprojmë, na jep më shumë të drejtë përdorimi të fuqisë së Tij.

Ne e rritim gjithashtu fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tonë kur bëjmë besëlidhje të shenjta dhe i mbajmë ato besëlidhje me saktësi. Besëlidhjet tona na lidhin me Të dhe na japin fuqi të perëndishme. Si dishepuj besnikë, ne pendohemi dhe e ndjekim Atë në ujërat e pagëzimit. Ne ecim përgjatë shtegut të besëlidhjes për të marrë ordinanca të tjera themelore. Dhe ne jemi mirënjohës që plani i Perëndisë siguron që ato bekime të shtrihen te paraardhësit, të cilët vdiqën pa një mundësi për t’i marrë ato gjatë jetës së tyre në vdekshmëri.

Burrat dhe gratë që i mbajnë besëlidhjet kërkojnë mënyra për ta mbajtur veten e tyre të panjollosur nga bota, kështu që nuk do të ketë asgjë që do ta bllokojë përdorimin nga ana e tyre të fuqisë së Shpëtimtarit. Një bashkëshorte dhe nënë besnike shkroi këtë së fundi: “Këto janë kohë të trazuara dhe të rrezikshme. Sa të bekuar jemi ne që kemi njohuri të shtuar për planin e shpëtimit dhe udhërrëfimin e frymëzuar nga profetë, apostuj e udhëheqës të dashur, për të na ndihmuar të lundrojmë të sigurt në këto dete të stuhishëm! Ne e ndërpremë zakonin tonë të ndezjes së radios në mëngjes. Në vend të kësaj, ne tani çdo mëngjes dëgjojmë një bisedë nga konferenca e përgjithshme në telefonat tanë celularë, ndërsa përgatitemi për një tjetër ditë.”

Një element tjetër në marrjen e fuqisë së Shpëtimtarit në jetën tonë është që të zgjatemi drejt Atij me besim. Një zgjatje e tillë kërkon përpjekje të zellshme e të përqendruar.

Pamja
Një grua duke prekur cepin e rrobës së Shpëtimtarit

A ju kujtohet tregimi biblik i gruas që vuajti për 12 vite me një problem ligështues? Ajo ushtroi besim të madh te Shpëtimtari, duke thirrur: “Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem”.

Kjo grua besnike dhe e përqendruar, duhej të zgjatej aq sa mundej për ta përdorur fuqinë e Tij. Zgjatja e saj fizike ishte simbol i zgjatjes së saj shpirtërore.

Shumë prej nesh kanë ofsharë nga thellësia e zemrës fjalë pak a shumë si të kësaj gruaje: “Sikur të mund të zgjatesha shpirtërisht aq sa ta merrja fuqinë e Shpëtimtarit në jetën time, do të dija se si ta përballoja situatën time pikëlluese. Do të dija çfarë të bëja. Dhe do të kisha fuqinë për ta bërë atë”.

Kur ju zgjateni për [ta marrë] fuqinë e Zotit në jetën tuaj me të njëjtin intensitet që ka një njeri që po mbytet, kur kapet dhe gulçon për ajër, fuqi nga Jezu Krishti do të jenë tuajat. Kur Shpëtimtari e di se ju me të vërtetë doni të zgjateni drejt Tij – kur Ai mund ta ndiejë se dëshira më e madhe e zemrës suaj është që ta merrni fuqinë e Tij në jetën tuaj – ju do të udhëhiqeni nga Fryma e Shenjtë për të ditur saktësisht atë që duhet të bëni.

Kur ju zgjateni shpirtërisht përtej çdo gjëje që keni bërë ndonjëherë më parë, atëherë fuqia e Tij do të vërshojë brenda jush. Dhe atëherë ju do ta kuptoni domethënien e thellë të fjalëve që ne këndojmë në himnin “Shpirti i Per’ndis’”:

Zoti zgjeron t’kuptuarin e shenjtor’ve, …

Dija dhe forca e Per’ndis’ po përhapen;

Veli q’ësht’ mbi tok’ të çahet po fillon.

Ungjilli i Jezu Krishtit është i mbushur me fuqinë e Tij, e cila është në dispozicion për çdo kërkues të zellshëm, bijë apo bir i Perëndisë. Është dëshmia ime se kur ne e marrim fuqinë e Tij në jetën tonë, si Ai edhe ne do të gëzohemi.

Si një nga dëshmitarët e Tij të veçantë, unë shpall se Perëndia jeton! Jezusi është Krishti! Kisha e Tij është rivendosur në tokë! Profeti i Perëndisë në tokë sot është Presidenti Tomas S. Monson, të cilin unë e mbështet me gjithë zemrën time. Dëshmoj kështu, duke shprehur dashurinë dhe bekimin tim për secilin prej jush, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih 2 Nefi 28:19–30.

  2. Shih Gjoni 3:16.

  3. Jezusi ishte i Vajosuri – i vajosur nga Ati Qiellor për të qenë përfaqësuesi i Tij personal në të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me shpëtimin e njerëzimit. Jezusi u vajos për të qenë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Para se të formohej bota, Jezusi u vajos për ta bërë pavdekësinë një realitet dhe jetën e përjetshme një mundësi për të gjithë fëmijët e Perëndisë (shih Gjoni 17:24; 1 Pjetër 1:20). Pra, Jezusi mbante dy tituj të veçantë: Mesia (hebraisht) dhe Krishti (greqisht) – secili nënkupton “i vajosur”. (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Vajosur (I)”.)

  4. Ne mund ta mbrojmë veten tonë duke e ditur dhe duke jetuar sipas fjalës së Perëndisë (shih Efesianëve 6:17–18; Doktrina e Besëlidhje 27:18).

  5. Nën drejtimin e Atit të Tij, Jezusi ishte Krijuesi i tokës (shih Gjoni 1:2–3) dhe i botëve të tjera pa numër (shih Moisiu 1:33). Shumë kohë përpara lindjes së Tij në vdekshmëri, Jezusi ishte Jehova i madh – Perëndia i Dhiatës së Vjetër. Ishte Jehova që bisedoi me Moisiun në malin Sinai. Ishte Jehova që bëri një besëlidhje me Abrahamin se të gjitha kombet e tokës do të bekoheshin nëpërmjet pasardhësve të Abrahamit. Dhe ishte Jehova që bëri besëlidhje me familjet e shtëpisë së Izraelit. Jezusi ishte gjithashtu Emanueli i premtuar, siç u profetizua nga Isaia (shih Isaia 7:14).

  6. Doktrina e Besëlidhje 131:6.

  7. Shih Doktrina e Besëlidhje 76:40–41.

  8. Shih 2 Nefi 31:2–21.

  9. Bibla e Shenjtë, Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe.

  10. Shih Topical Guide, “Jesus Christ”. Përveç tekstit poshtë atij titulli kryesor, ka 57 nëntituj për Të. Për botimet e shkrimeve të shenjta që nuk janë në gjuhën angleze, përdorni Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta.

  11. Janë cituar më shumë se 2.200 përdorime në ato 18 faqe të Topical Guide [Udhëzuesit Tematik].

  12. 3 Nefi 27:13–14.

  13. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 52.

  14. Shih “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Liahona, prill 2000, f. 2–3.

  15. Shih Helamani 8:15.

  16. Shih Doktrina e Besëlidhje 6:36.

  17. Jezu Krishti na mësoi për rëndësinë e ordinancave të shenjta, të tilla si pagëzimi (shih Gjoni 3:5), sakramenti (shih Doktrina e Besëlidhje 59:9) dhe dhurimi [indaumenti] e ordinancat vulosëse të tempullit (shih Doktrina e Besëlidhje 124:39–42).

  18. Shih Doktrina e Besëlidhje 124:29–32.

  19. Shih Lluka 8:43–44.

  20. Marku 5:28.

  21. Shih Doktrina e Besëlidhje 88:63.

  22. Kur gruaja besnike e preku rrobën e Shpëtimtarit, Ai iu përgjigj menjëherë: “E ndjeva që një fuqi [nga greqishtja dunamis, që nënkupton “forcë”] doli prej meje” (Lluka 8:46; theksimi i shtuar).

  23. “Shpirti i Per’ndis”, Himne, nr. 2.

  24. Shih 3 Nefi 17:20.