Kemi Arsye të Madhe për t’u Gëzuar
Kur ju i doni, i mbroni dhe u shërbeni të tjerëve në mënyra të vogla dhe të thjeshta, ju merrni pjesë aktivisht në punën e shpëtimit.
Kur vjehërri im ndërroi jetë, familja jonë u mblodh së bashku për të mirëpritur të tjerët që erdhën për ta ngushëlluar. Gjatë gjithë mbrëmjes, ndërsa flisja me familjen dhe miqtë, shpesh vura re nipin tonë 10-vjeçar, Porterin, duke i qëndruar pranë vjehrrës sime – “nënokes” së tij. Ndonjëherë qëndronte prapa saj, duke u kujdesur për të. Një herë, vura re ta kapte për krahu. E pashë t’i ledhatonte duart, t’i jepte përqafime të vogla dhe t’i qëndronte përkrah.
Për disa ditë pas asaj përvoje, nuk mund ta hiqja nga mendja këtë pamje. Pata nxitjen t’i dërgoja Porterit një shënim, për t’i treguar atë që kisha vënë re. I dërgova një mesazh elektronik dhe i thashë atë çfarë kisha parë e ndier. I kujtova Porterit besëlidhjet që kishte bërë kur ishte pagëzuar, duke cituar fjalët e Almës te Mosia, kapitulli 18:
“Dhe tani, pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta —
Po, dhe jeni të gatshëm të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që ju të gjendeni, madje deri në vdekje, … që ju të mund të keni jetën e përjetshme —
… Në qoftë se kjo është dëshira e zemrave tuaja, çfarë keni kundër pagëzimit në emrin e Zotit, si një dëshmi para tij që ju keni hyrë në një besëlidhje me të, se ju do t’i shërbeni atij dhe do të zbatoni urdhërimet e tij, që ai të mund të derdhë mbi ju Shpirtin e tij më me shumicë?”1
I shpjegova Porterit që Alma dha mësim se ata që dëshirojnë të pagëzohen duhet të jenë të gatshëm t’i shërbejnë Zotit duke u shërbyer të tjerëve – gjatë gjithë jetës! I thashë: “Nuk e di nëse e kuptove, por mënyra se si tregove dashuri dhe shqetësim për Nënoken ishte mbajtje e besëlidhjeve të tua. Ne i mbajmë besëlidhjet tona çdo ditë ndërsa jemi të përzemërt, tregojmë dashuri dhe kujdesemi për njëri-tjetrin. Thjesht dëshiroj që të dish se jam krenare për ty që je një mbajtës i besëlidhjeve! Ndërsa mban besëlidhjen që bëre kur u pagëzove, ti do të jesh i përgatitur që të shugurohesh në priftëri. Kjo besëlidhje tjetër do të të japë më shumë mundësi për t’i bekuar e për t’u shërbyer të tjerëve dhe do të të ndihmojë të përgatitesh për besëlidhjet që do të bësh në tempull. Të falënderoj që je një shembull kaq i mirë për mua! Të falënderoj që më tregove se si është një mbajtës i besëlidhjeve!”
Porteri u përgjigj: “Gjyshe, faleminderit për mesazhin. Kur po e përqafoja Nënoken gjithë kohën, nuk e dija se po i mbaja besëlidhjet e mia, por u ndjeva ngrohtë në zemër dhe u ndjeva vërtet mirë. E di që ishte Fryma e Shenjtë në zemrën time.”
Edhe unë u ndjeva ngrohtë në zemër kur pashë se Porteri e kishte kuptuar lidhjen mes mbajtjes së besëlidhjeve të tij dhe premtimit për “të [pasur] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”2 – premtim i bërë i mundur përmes marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë.
Motra, ndërsa ju kam vizituar nëpër botë, kam vënë re se shumë nga ju janë si Porteri. Ju qëndroni qetësisht si dëshmitare të Perëndisë, vajtoni me ata që vajtojnë dhe ngushëlloni ata që kanë nevojë për ngushëllim pa e kuptuar se po mbani besëlidhjet tuaja – besëlidhjet që bëtë në ujërat e pagëzimit dhe në tempull. Kur ju i doni, i mbroni dhe u shërbeni të tjerëve në mënyra të vogla dhe të thjeshta, ju merrni pjesë aktivisht në punën e shpëtimit, punën e Perëndisë për “të bë[rë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”3.
Si “bija në mbretërinë [e Zotit]”4 ne kemi bërë besëlidhje të shenjta. Ne po ecim në atë që Nefi e quajti “shteg të ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme”5. Ne të gjitha jemi në vende të ndryshme përgjatë shtegut. Por ne mund të punojmë bashkërisht për ta ndihmuar njëra-tjetrën që “të shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit”6.
Xhini shërben si këshilluese te Të Rejat. Disa muaj më parë, ajo mësoi rreth një aktiviteti të ardhshëm për rininë në lagje: ngjitja për në një vend të quajtur Maja e Melënit. Ajo ishte e emocionuar pasi kohët e fundit kishte vendosur si qëllim ta bënte atë ngjitje në mal.
Kur arriti te kreu i shtegut iu afrua shoqja e saj e mirë, Ashli. Duke u kapur për krahu me Xhinin, ajo u ofrua që të ngjitej me të, duke thënë: “Do të vij me ty”. Ashli, e cila ishte 16 vjeçe në atë kohë, kishte disa pengesa fizike që ia bënin të vështirë të ngjitej shumë shpejt. Kështu që ajo dhe Xhini ecën me ngadalë, duke vënë re krijimet e Atit Qiellor: shkëmbinjtë në majën e malit sipër tyre dhe lulet kudo përreth tyre. Xhini më vonë tha: “Vërtet nuk m’u desh shumë ta harroja qëllimin tim për t’u ngjitur në majë, pasi shpejt, kjo u kthye në një aventurë të një lloji tjetër – një aventurë e të vënit në dukje të bukurive përgjatë shtegut, shumë prej të cilave do të më kishin shpëtuar nëse do të isha ngjitur thjesht për të arritur qëllimin: Majën e Melënit”.
Ndërsa Xhini dhe Ashli vazhduan të ngjiteshin, shumë më prapa pjesës tjetër të grupit, atyre iu bashkua Ema, një e re tjetër në lagje, e cila kishte vendosur t’i priste dhe të ecte me to. Ema iu shtua gëzimit të tyre. Ajo u mësoi një këngë dhe u dha më tepër mbështetje e nxitje. Xhini kujtoi: “Ne u ulëm dhe pushuam, kënduam, folëm dhe qeshëm. Unë qeshë në gjendje të arrija ta njihja Ashlin dhe Emën në një mënyrë që përndryshe nuk do të kisha qenë në gjendje [t’i njihja]. [Çështja] nuk qe te mali atë natë – ishte te shumë më tepër se kaq. Ishte rreth të ndihmuarit të njëra-tjetrës përgjatë shtegut, hap pas hapi.”
Ndërsa, Xhini, Ashli dhe Ema u ngjitën e kënduan dhe pushuan e qeshën së bashku, ato ndoshta nuk po mendonin: “Hej, pikërisht tani ne po mbajmë besëlidhjet tona”. Por ato [në fakt] po i mbanin besëlidhjet e tyre. Ato po i shërbenin njëra-tjetrës me dashuri, dhembshuri e përkushtim. Ato po forconin besimin e njëra-tjetrës ndërsa e inkurajuan dhe i shërbyen njëra-tjetrës.
Plaku Rasëll M. Nelson dha mësim: “Kur kuptojmë se jemi fëmijë të besëlidhjes, ne e dimë cilët jemi dhe çfarë pret Perëndia nga ne. Ne e kemi bërë ligjin e Tij një pjesë tonën.”7
Maria Kuizina është bijë besëlidhjeje e Perëndisë që e di se cila është dhe se çfarë pret Perëndia nga ajo. Kur më mirëpriti në shtëpinë e saj në Omsk të Rusisë, mendova se isha aty për t’i shërbyer asaj, por shpejt e kuptova se unë isha atje për të mësuar nga ajo. Maria, një e kthyer në besim në Kishë, jeton në përputhje me udhëzimin që gjendet te Lluka 22: “Kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu”8. Ajo ka besim në fjalët e profetit tonë të gjallë, Presidentit Tomas S. Monson, i cili tha:
“Tani është koha që anëtarët dhe misionarët të mblidhen së bashku, të veprojnë së bashku, të punojnë së bashku në vreshtin e Zotit për t’i sjellë shpirtra Atij. …
… Kur veprojmë me besim, Zoti do të na tregojë se si ta forcojmë Kishën e Tij në lagjet dhe degët në të cilat jetojmë. Ai do të jetë me ne dhe do të bëhet bashkëpunëtor aktiv në punët tona misionare.
… Ushtroni besimin tuaj … ndërsa merrni parasysh me lutje se cilët nga familja juaj, miqtë tuaj, fqinjët tuaj dhe të njohurit tuaj do të dëshironit të ftonit në shtëpinë tuaj për t’u takuar me misionarët, që ata të mund të dëgjojnë mesazhin e Rivendosjes.”9
Maria e ndjek këtë këshillë duke u kujdesur dhe duke u shërbyer motrave tek të cilat i është kërkuar të bëjë vizitën mësimore dhe gjithashtu duke bërë më shumë sesa kjo detyrë. Ajo ka shumë miq të cilët janë më pak aktivë ose të cilët nuk e kanë dëgjuar ende mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Çdo ditë, ajo ushtron besimin e saj dhe lutet që të dijë se kush ka nevojë për ndihmën e saj dhe pastaj vepron në përputhje me nxitjen që merr. Ajo bën telefonata, shpreh dashurinë e saj dhe u thotë miqve të saj: “Ne kemi nevojë për ju”. Çdo javë, ajo bën mbrëmjen familjare të shtëpisë në apartamentin e saj dhe fton fqinjët, anëtarët dhe misionarët që të vijnë – dhe i ushqen ata. Ajo i fton që të vijnë në kishë, i kërkon me sy ata dhe ulet pranë tyre kur vijnë.
Maria e kupton atë që na solli ndërmend së fundi Plaku Xhefri R. Holland se “një ftesë që buron nga dashuria jonë për të tjerët dhe për Zotin Jezu Krisht … kurrë nuk do të shihet si ofenduese apo e dënueshme”10. Ajo mban një listë me njerëz që thonë se janë lënduar, dhe ajo vijon t’u shërbejë atyre. Për shkak se e dinë se ajo i do, ajo mund t’u thotë atyre: “Mos u fyeni. Ai qëndrim është qesharak!”
Maria është një pasuese e Jezu Krishtit që i mban besëlidhjet. Ndonëse nuk ka një mbajtës të priftërisë në shtëpinë e saj, ajo e ndien fuqinë e Perëndisë çdo ditë në përmbushje të besëlidhjeve të saj të tempullit ndërsa ecën përpara nëpër shteg, duke duruar deri në fund e duke i ndihmuar të tjerët të marrin pjesë në punën e shpëtimit përgjatë udhës.
Ndërsa jua tregova këto përvoja, a e patë veten [pjesë] në punën e shpëtimit? Mendoni një çast për një bijë tjetër të Perëndisë e cila ka nevojë për nxitje që të kthehet në shtegun e besëlidhjes ose e cila ka nevojë për pak ndihmë që të qëndrojë në shteg. Pyeteni Atin tuaj në Qiell për të. Ajo është bija e Tij. Ai e njeh nga emri. Ai ju njeh edhe ju, dhe do t’ju tregojë se për çfarë ka nevojë ajo. Jini të duruara dhe vazhdoni me besim e lutje në emrin e saj dhe veproni sipas nxitjeve që merrni. Ndërsa veproni sipas këtyre nxitjeve, Shpirti do t’ju pohojë se oferta juaj është e pranueshme për Zotin.
“Motra Eliza R. Snou … i miratoi me mirënjohje përpjekjet e motrave për të forcuar njëra-tjetrën. … Ajo u tha se megjithëse Kisha nuk mbante një regjistër për çdo dhuratë që ato bënin për të ndihmuar njerëzit në nevojë, Zoti mbante një regjistër të përsosur të punës së tyre shpëtuese:
‘… Presidenti Jozef Smith tha se kjo organizatë u ngrit për të shpëtuar shpirtra. Çfarë jemi [duke bërë ne] “për të rifituar ata që kanë dalë nga rruga? – Për të ngrohur zemrat e atyre që janë ftohur lidhur me ungjillin? – Një libër tjetër mbahet për besimin tuaj, mirësinë tuaj, veprat tuaja të mira dhe fjalët [tuaja]. Një regjistër tjetër mbahet. Asgjë nuk humbet.’”11
Në Librin e Mormonit, Amoni flet për arsyen e madhe që kemi që të gëzohemi. Ai thotë: “Dhe tani, unë pyes, çfarë bekimesh të mëdha na ka dhënë [Perëndia]? A mund të thoni?”
Në entuziazmin e tij, Amoni nuk pret përgjigje. Ai thotë: “Vini re, unë përgjigjem për ju; … ky është bekimi që na është dhënë që ne u bëmë mjete në duart e Perëndisë për të plotësuar këtë punë të madhe”12.
Ne jemi bija të besëlidhjes në mbretërinë e Zotit, dhe ne kemi mundësinë të jemi mjete në duart e Tij. Teksa marrim pjesë në punën e shpëtimit çdo ditë në mënyra të vogla e të thjeshta – duke u kujdesur, duke e forcuar dhe mësuar njëra-tjetrën – ne do të jemi në gjendje të bashkohemi me Amonin, i cili shpalli:
“Gëzimi im është i plotë, po, zemra ime është plot e përplot me gëzim dhe unë do të ngazëllehem në Perëndinë tim.
Po, unë e di se nuk jam asgjë; pasi nga fuqia ime jam i dobët; prandaj nuk do të mburrem për veten time, por do të krenohem për Perëndinë tim, pasi në fuqinë e tij unë mund të bëj të gjitha gjërat.”13
Dëshmoj për këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.