Mësoni më Shumë

Programi i huamarrjes i Fondit të Qarkullueshëm Arsimor (FQA) i ndihmon anëtarët e Kishës të të gjitha moshave të marrin një arsimim që i çon drejt një pune e cila i bën të mbështetur te vetja. Që nga viti 2001, ky program ka ndikuar në jetën e më shumë se 90 000 individëve rreth e qark botës. Nëpërmjet shlyerjes së huasë dhe dhurimeve bujare, ky fond do të vazhdojë t’i nxjerrë individët dhe familjet nga varfëria dhe t’i çojë drejt mbështetjes te vetja për dekada në të ardhmen.

Për të mësuar më tepër rreth fillesave të FQA-së, mund të lexoni fjalimin e mbajtur nga Presidenti Gordon B. Hinkli (“The Perpetual Education Fund”, Ensign, maj 2001, f. 52–53) në konferencën e përgjithshme.

A jepen hua nga FQA-ja në vendin tim?

A,B,C,Ç,D,DH
Afrikë e Jugut, Antigua e Barbudë, Argjentinë, Barbados, Beliz, Bolivi, Botsvanë, Brazil, Breg i Fildishtë

E,Ë,F,G,GJ,H
Ekuador, El-Salvador, Esvatini, Filipine, Fixhi, Ganë, Grenadë, Guajanë, Guatemalë, Haiti, Honduras, Hong-Kong

I,J,K,L,LL
Indi, Indonezi, Kamboxhia, Kenia, Kepi i Gjelbër, Kili, Kiribati, Kolumbi, Kore e Jugut, Kosta-Rika, Lesoto, Liberi

M,N,NJ,O,P
Madagaskar, Malajzi, Malavi, Meksikë, Mozambik, Namibi, Nigeri, Nikaragua, Pakistan, Panama, Papua Guinea e Re, Paraguai, Peru, Porto-Riko, Portugali

Q,R,RR,S,SH,T,TH
Republika Demokratike e Kongos, Republika Dominikane, Samoa, Samoa Amerikane, Sierra-Leone, Spanjë, Surinam, Shën-Kits dhe Nevis, Shën-Luçia, Shën-Vincent, Shqipëri, Tajland, Tajvan, Tanzani, Togo, Tonga, Trinidad e Tobago

U,V,X,XH,Y,Z, ZH
Uganda, Uruguai, Vanuatu, Venezuelë, Xhamajkë, Zambi, Zimbabve

Si kualifikohem për një huamarrje nga FQA-ja?

Do të punoni së bashku me peshkopin ose presidentin tuaj të degës për të vendosur a kualifikoheni për një huamarrje nga FQA-ja. Do t’ju nevojitet miratimi i tij për ta filluar procesin e bërjes së kërkesës. Tre kualifikimet janë: të jeni i/e denjë, në nevojë dhe i/e vendosur.

I/E Denjë

Kualifikimi për një huamarrje nga FQA-ja fillon nga të jetuarit e ungjillit dhe kualifikimi për një rekomandim tempulli dhe marrja e tij (gjejnë zbatim edhe rekomandimet me përdorim të kufizuar).

Në Nevojë

Fondet e FQA-së janë të shenjta dhe janë vetëm për anëtarët në nevojë të madhe ekonomike.

Mendoni rreth të gjitha burimeve tuaja të të ardhurave (tuajat dhe të familjes) për të paguar shkollën. Kjo mund të përfshijë grantet dhe bursat. Nëse ju nevojitet ndihmë për të mësuar mënyra të ndryshme në të cilat mund të paguani për arsimimin tuaj, shihni faqet 95–116 te manuali Arsimim për Punë më të Mirë, ose vihuni në kontakt me specialisti tuaj të kunjit për mbështetjen te vetja apo me qendrën tuaj vendore për mbështetjen te vetja.

I/E Vendosur

Do t’ju nevojitet të punoni fort, të studioni me zell dhe t’i kapërceni sfidat që të diplomoheni për programin tuaj të studimeve, të gjeni një vend pune më të mirë, ta shlyeni huanë tuaj dhe të bëheni i/e mbështetur te vetja.

Pse duhet ta shlyeni huanë tuaj

Sa herë që bëni një shlyerje të huasë suaj, i krijoni mundësinë dikujt tjetër që të bëhet i mbështetur te vetja nëpërmjet arsimimit. Ndershmëria juaj në lidhje me kthimin e parave që morët hua do ta bekojë jetën tuaj, familjen tuaj dhe jetën e atyre që vijnë pas jush.

Si mund ta përdor huanë time nga FQA-ja?

Marrja e një arsimimi është një përvojë që ta ndryshon jetën, por mund të jetë edhe një përvojë e kushtueshme. Huatë nga FQA-ja janë në dispozicion për programe teknike dhe profesionale të kualifikuara që nuk zgjatin më shumë se dy vjet. Ato përdoren për të paguar tarifën e shkollimit dhe tarifa të tjera (të tilla si mjetet, librat, certifikatat dhe provimet). Huatë nga FQA-ja nuk mund të përdoren për të paguar koston e udhëtimit për në shkollë dhe të kthimit, shpenzimet e përditshme të jetës ose koston e një kompjuteri apo mjeteve të tjera ndihmëse për studim.

Ne ju nxitim të shqyrtoni kapitullin 6 të manualit Arsimim për Punë më të Mirë dhe t’i përfundoni të gjitha veprimtaritë e sugjeruara që të përcaktoni mënyrën më të mirë për të paguar për arsimimin tuaj.

Për shembull, do t’ju duhet të mendoni për koston e udhëtimit për në shkollë dhe të kthimit, koston e një kompjuteri ose mjeteve të tjera ndihmëse për studim (nëse nevojiten) dhe shpenzimet tuaja të përditshme të jetesës. Këto kosto nuk mbulohen prej një huaje nga FQA-ja.

Si ta shlyej huanë time?

Pasi të miratohet huaja juaj dhe të filloni shkollën, do të filloni të bëni pagesat. Këto pagesa janë shumë të ulëta ndërkohë që jeni në shkollë. Për të kontrolluar shumën e pagesës së huasë suaj, mund të nënshkruani hyrjen në faqen e internetit të FQA-së për studentët. Çdo vend ka mundësi të ndryshme shlyerjeje për t’ju ndihmuar ta shlyeni huanë tuaj.

Pasi të jeni diplomuar, do të filloni të bëni pagesa në bilancin e llogarisë suaj. Në varësi të kohëzgjatjes së programit tuaj të shkollimit dhe shumës së huasë suaj, do të jeni në gjendje ta shlyeni huanë tuaj, bashkë me interesin, brenda pesë vjetëve.

Nëse keni vështirësi ekonomike, shqetësime mjekësore ose probleme të tjera që po e bëjnë shumë të vështirë bërjen e pagesave për FQA-në, mund të kualifikoheni për një ristrukturim të përkohshëm të huasë. Ju lutemi, vihuni në kontakt me specialistin tuaj të kunjit për mbështetjen te vetja ose me zyrën tuaj zonale të FQA-së për të mësuar më shumë.

Nëse jeni shpërngulur nga vendi ku e filluat huamarrjen tuaj nga FQA-ja, do t’ju duhet të viheni në kontakt me zyrën zonale të FQA-së ku jetoni tani që t’jua transferojë llogarinë tuaj. Kjo do të ndihmojë për procesin e shlyerjes.