Ndihma për Studimin
Smith, Joseph, i Riu


Smith, Joseph, i Riu

Profeti i zgjedhur për të rivendosur Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit në tokë. Joseph Smith-i lindi në shtetin e Vermont-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jetoi nga 1805 deri 1844.

Në 1820, Perëndia Ati dhe Jezu Krishti iu shfaqën Joseph-it dhe ai mësoi se asnjë nga kishat e tokës nuk ishte e vërtetë (JS—H 1:1–20). Më vonë ai u vizitua nga engjëlli Moroni, i cili i zbuloi vendin ku fshiheshin fletët e arta që përmbanin analin e popujve të lashtë në kontinentin Amerikan (JS—H 1:29–54).

Joseph-i i përktheu fletët e arta dhe në 1830 i botoi ato si Libri i Mormonit (JS—H 1:66–67, 75). Në 1829, ai mori autoritetin e priftërisë nga Gjon Pagëzori dhe nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni (DeB 13; 27:12; 128:20; JS—H 1:68–70).

Siç u drejtuan nga Perëndia, në 6 prill 1830, Joseph-i dhe disa të tjerë organizuan Kishën e Rivendosur të Jezu Krishtit (DeB 20:1–4). Nën udhëheqjen e Joseph-it, Kisha u rrit në Kanada, Angli dhe në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në Ohio, Missouri dhe Illinois. Përndjekje e rëndë e ndoqi Joseph-in dhe shenjtorët kudo që u vendosën. Në 27 qershor 1844, Joseph-i dhe vëllai i tij Hyrum u martirizuan në Carthage, Illionis, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkrime të shenjta të nxjerra në dritë nga profeti Joseph Smith

Joseph-i përktheu pjesë nga fletët e arta që iu dhanë atij nga engjëlli Moroni, përkthim i cili u botua më 1830 si Libri i Mormonit. Ai gjithashtu mori shumë zbulesa nga Zoti që shpallnin doktrinat bazë dhe organizimin e Kishës. Shumë prej këtyre zbulesave u përmblodhën në atë që sot njihet si Doktrina e Besëlidhje. Ai ishte gjithashtu përgjegjës për nxjerrjen në dritë të Perlës me Vlerë të Madhe, që përmban përkthime të frymëzuara të disa prej shkrimeve të Moisiut, Abrahamit dhe Mateut, pjesë nga historia dhe dëshmia e tij vetjake dhe trembëdhjetë thënie të doktrinës e të besimit të cilat besohen nga Kisha.