Ndihma për Studimin
Sakrificë


Sakrificë

Në ditët e lashta, flijimi do të thoshte të bëje diçka ose dikë të shenjtë. Sot do të thotë të braktisësh ose të vuash humbjen e gjërave të kësaj bote për Zotin dhe mbretërinë e tij. Anëtarët e Kishës së Perëndisë duhet të jenë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për Zotin. Joseph Smith-i na mësoi se “një fe që nuk kërkon sakrifikimin e të gjitha gjërave, kurrë nuk e ka fuqinë e mjaftueshme për të prodhuar besimin e nevojshëm për jetën dhe shpëtimin”. Në perspektivën e përjetshme, bekimet e fituara nëpërmjet sakrifikimit janë më të mëdha se çdo gjë nga e cila u hoq dorë.

Pasi Adami dhe Eva u dëbuan nga kopshti i Edenit, Perëndia u dha atyre ligjin e sakrificës. Ky ligj përfshinte flijimin e të parëlindurit të tufave të tyre. Kjo sakrificë simbolizonte sakrificën që do të bëhej nga Biri i Vetëmlindur i Perëndisë (Mois. 5:4–8). Kjo praktikë vazhdoi deri në vdekjen e Jezu Krishtit, e cila i dha fund flijimit të kafshëve si një ordinancë e ungjillit (Alma 34:13–14). Sot në Kishë anëtarët marrin sakramentin e bukës dhe të ujit në kujtim të sakrificës së Jezu Krishtit. Anëtarëve të Kishës së Krishtit sot u kërkohet gjithashtu të japin sakrificën e një zemre të thyer dhe të një shpirti të penduar (3 Ne. 9:19–22). Kjo do të thotë se ata janë të përulur, të penduar dhe të gatshëm t’u binden urdhërimeve të Perëndisë.