Manualet e Fillores
Udhëzime për Kohën e Përbashkët dhe Paraqitjen e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit


Udhëzime për Kohën e Përbashkët dhe Paraqitjen e Fëmijëve në Mbledhjen e Sakramentit

Të Dashura Presidenca të Fillores dhe Udhëheqëse të Muzikës,

Këtë vit ne do të kemi bekimin dhe mundësinë e shenjtë për të ndihmuar çdo fëmijë në Fillore që të arrijë të dijë se ai apo ajo është një fëmijë e Perëndisë. Ne shpresojmë se fëmijët do ta mësojnë këtë të vërtetë të rëndësishme ndërsa e ndiejnë dashurinë e Atit tonë Qiellor për ta. Ndërsa i jepni mësim me lutje doktrinat në këto mësime për kohën e përbashkët, ju mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë identitetin, qëllimin dhe potencialin e tyre hyjnor. Ju mund t’i ndihmoni ata që ta rrisin besimin e tyre në Jezu Krisht dhe dëshminë e tyre për planin e Atit tonë Qiellor për ta. Dhe ju mund t’u jepni atyre shpresë për të ardhmen e tyre dhe ta forconi dëshirën e tyre për të qëndruar në shtegun e kthimit për tek Ati ynë Qiellor.

Kërkoni ndihmën e Shpirtit ndërsa përgatiteni, jepni mësim dhe dëshmoni rreth këtyre të vërtetave. Nëpërmjet përpjekjeve tuaja të përkushtuara familjet do të bekohen. Ne ju duam dhe ju shprehim mirënjohjen tonë për shërbimin e përkushtuar që po jepni, për t’i forcuar dhe për t’i mbrojtur fëmijët tanë të çmuar.

Presidenca e Përgjithshme e Fillores

Udhëzime për Kohën e Përbashkët

Mësimdhënia e Ungjillit

Përdoreni këtë broshurë kur përgatiteni për të zhvilluar çdo javë një mësim 15-minutësh gjatë kohës së përbashkët. Ju mund t’i plotësoni mësimet javore me materiale të tjera të miratuara nga Kisha, siç është Liahona. Udhëzimet që vijojnë, do t’ju ndihmojnë që t’i programoni e t’i zhvilloni mësimet.

Duajini Ata të Cilëve u Jepni Mësim. Tregojeni dashurinë tuaj për fëmijët duke ua mësuar emrat dhe duke qenë të vetëdijshme për interesat, talentet dhe nevojat e tyre.

Mësojuani Doktrinën nëpërmjet Shpirtit. Kur përgatisni mësimet, lutuni për udhëheqje dhe përpiquni të forconi dëshminë tuaj për parimet që do t’u mësoni. Kjo gjë do t’ju ndihmojë për mësimdhënien nëpërmjet Shpirtit.

Stimuloni Nxënien e Mësimit. Kjo broshurë është hartuar që t’ju ndihmojë të dini jo vetëm se çfarë të jepni mësim, por dhe si ta jepni e të stimuloni nxënien e mësimit. Doktrinën do t’ua mësoni më me efektshmëri, kur në çdo mësim bëni tri gjërat që vijojnë:

  1. Dalloni doktrinën. Paraqitni qartë doktrinën që do të mësojnë fëmijët. Mbani parasysh mënyra për ta bërë këtë me fjalë dhe sende ilustruese. (Për disa shembuj, shihni mësimet për javën e katërt të shkurtit dhe për javën e tretë të korrikut.)

  2. Nxitni të kuptuarit. Sigurohuni që fëmijët të fitojnë një kuptim më të thellë të doktrinës me anë të metodave të larmishme mësimore që i tërheqin ata për të mësuar, si këndimi i këngëve, interpretimi i roleve dhe leximi i shkrimeve të shenjta.

  3. Nxitni zbatimin. Jepuni fëmijëve mundësi që ta zbatojnë doktrinën në jetën e tyre. Mbani parasysh si mund t’i shprehin ata ndjenjat apo të vendosin një qëllim lidhur me doktrinën.

Kjo broshurë siguron mësime të plota për disa nga javët e këtij viti. Përmban ide, por jo mësime të plota, për javët e tjera. Plotësojini ato me disa ide tuajat. Mund të merrni ide nëpërmjet leximit të mësimeve të tjera të kësaj broshure. Kur ka të diela të pesta, përdoreni atë kohë për të rishikuar mësimet e mëparshme. Shpirti mund t’ju udhëheqë ndërsa programoni dhe përgatisni veprimtari për mësimet.

Punoni bashkë me udhëheqësen e muzikës kur përgatisni mësimet. Këndimi i këngëve do të ndihmojë që të përforcohen doktrinat që po jepni mësim. Hera-herës mund të ftoni mësuese dhe klasat e tyre që t’ju ndihmojnë në pjesët e mësimdhënies së ungjillit.

Disa mësime sugjerojnë që në Fillore të ftohen për të marrë pjesë folës të tjerë. Ju duhet të merrni miratimin e peshkopit ose të presidentit të degës suaj, para se t’i ftoni këta persona për të marrë pjesë.

Mësimet janë të shoqëruara me disa njohuri mësimore që do t’ju ndihmojnë ta përmirësoni aftësinë tuaj të mësimdhënies. Mësimet përmbajnë edhe figura, të cilat do t’ju ndihmojnë të shihni si duket një veprimtari konkretisht. Ndonëse zhvillimi i aftësive mësimdhënëse është i rëndësishëm, përgatitja juaj shpirtërore dhe dëshmia vetjake janë ato që e ftojnë Shpirtin për t’i pohuar këto doktrina në zemrën e fëmijëve.

Koha e Këndimit

Muzika në Fillore duhet të krijojë një atmosferë nderimi, të mësojë ungjillin dhe të ndihmojë që fëmijët të ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë dhe gëzimin që vjen nëpërmjet këndimit. Një hapësirë 20-minutëshe e kohës së përbashkët, duhet t’i kushtohet këndimit dhe mësimit të pjesëve muzikore. Kjo do t’ju sigurojë kohë të mjaftueshme për t’u mësuar fëmijëve këngë të reja dhe për t’i ndihmuar ata që t’u pëlqejë këndimi.

Kjo broshurë përfshin një këngë që fëmijët ta mësojnë këtë vit (shih faqen 28). Ajo përfshin edhe një pjesë të titulluar “Si Përdoret Muzika në Fillore” (shih faqet 26–27) dhe ide shtesë për t’ua mësuar këngët fëmijëve (shih faqet 3, 11, 17).

Udhëzime për Paraqitjen në Mbledhjen e Sakramentit

Nën drejtimin e peshkopit ose të presidentit të degës, paraqitja e fëmijëve në mbledhjen e sakramentit zakonisht bëhet gjatë tremujorit të katërt të vitit. Takohuni me këshilltarin në peshkopatë ose presidencën e degës që mbikëqyr Filloren në fillim të vitit, për të diskutuar për planet paraprake. Merrni miratimin e tij kur t’i keni përfunduar planet.

Planifikoni që fëmijët ta paraqesin programin bazuar në temat mujore të kohës së përbashkët. Gjatë gjithë vitit, mbani shënime mbi bisedat dhe përvojat vetjake të fëmijëve, për një përdorim të mundshëm gjatë paraqitjes. Kur të planifikoni që fëmijët të shfaqin se ç’kanë mësuar për temën e këtij viti, mendoni mënyra me të cilat ata mund ta ndihmojnë bashkësinë e pranishme të përqendrohet mbi doktrinat e ungjillit që ata po u mësojnë. Një pjesëtar i peshkopatës mundet ta përfundojë mbledhjen me disa komente të shkurtra.

Ndërsa përgatisni programin, kujtoni udhëzimet e mëposhtme:

  • Provat nuk duhet t’u marrin më kot kohën klasave ose familjeve.

  • Sendet ilustruese, veshjet teatrale dhe paraqitjet audio-vizive nuk janë të përshtatshme për mbledhjen e sakramentit.

Pamja
paraqitja në mbledhjen e sakramentit

Burime të Përdorura në Këtë Broshurë

Shkurtesat e mëposhtme përdoren në të gjithë broshurën:

CS/HKFChildren’s Songbook [Këngë të Fëmijëve]/Himne dhe Këngë të Fëmijëve

LFAULibri i Figurave Artistike të Ungjillit

Shumë mësime kanë sugjerime për përdorimin e figurave. Figurat mund t’i gjeni te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, paketat me figura nga manualet e Fillores si dhe te revistat e Kishës dhe në internet tek adresa images.lds.org.

Programi mësimor për vitin 2018

Programi Mësimor i Përgjithshëm

Çerdhja: Vini Re të Vegjlit Tuaj; Rrezet e Diellit: Fillorja 1; ZTD 4–7: Fillorja 2; Guximtarët 8–11: Fillorja 6

Programi Mësimor Bazë

Rrezet e Diellit: Fillorja 1; ZTD 4–7: Fillorja 2; Guximtarët 8–11: Fillorja 5